Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ende nuk e ka shkarkuar këshilltarin e tij politik, Enis Osmanin, i cili së fundmi u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e vitit 2017.
Lidhur me këtë, Peci është arsyetuar në meritokraci, dhe ka shtuar se ende po mbledh informacione për këtë ngjarje, përtej vendimit të gjykatës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Meritokracia ka qenë dhe do të jetë sa të jem unë. E dyta është kjo një ngjarje që unë e kam kuptuar vonë e vitit 2017 në të cilën unë jam duke i mbledhur edhe disa informacione të tjera edhe përtej vendimit të gjykatës”, ka deklaruar Peci në TV1.
“Ndoshta ka qenë puna që iu kam besuar më shumë se që duhet anëtarëve të komisionit, më vjen keq për këtë që ka ndodhur, premtoj se nuk do ta përsëris asnjëherë”, ka deklaruar ai.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Osmani detyrohet që të paguajë shpenzimet e procedurës, 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro në emër të fondit të kompensimit të viktimave të krimit.
Ndërsa, dënimin me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 500 euro, i akuzuari obligohet ta paguajë në afat prej 3 muaj nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. /Reporteri.net/.