Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), Rrahman Rama, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Turqi.
Rama është pritur nga komandanti i Forcave të Armatosura të Turqisë, Hulusi Akar, ku të dy gjeneralët gjatë takimit kanë biseduar për bashkëpunimin e deritashëm si dhe për mundësinë e rritjes së këtij bashkëpunimi në të ardhmen edhe në fushat tjera, si: shkollimit, edukimit dhe stërvitjeve, e që janë me interes të përbashkët.
Komandanti i FSK-së, gjatë qëndrimit në Turqi, realizoi vizitë zyrtare edhe në Universitetin e Mbrojtjes së Turqisë, ku është pritur nga stafi i lartë i këtij institucioni ushtarak.
Rama ka biseduar me udhëheqësit e Universitetit të Mbrojtjes për mundësinë e shkollimit dhe edukimit të pjesëtarëve të FSK-së, në këtë institucion ushtarak në të ardhmen, ku një numër i madh i pjesëtarëve kanë diplomuar në këtë institucion.
Gjatë takimit u tha se bashkëpunimi i FSK-së me Forcat e Armatosura të Turqisë është shumë i mirë dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke përfshirë edhe fushat tjera që janë me interes të përgjithshëm për të dyja palët.