Site icon PrishtinaPress

Turqia i kërkoi Kosovës bashkëpunim në luftimin e “Gylenistëve”, shteti nuk e ka obligim ligjor

Kërkesa e parashtruar e shefit të diplomacisë së Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ndaj Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, përgjatë takimit të mbajtur përpara disa ditësh në mes të dy palëve, për vazhdimin e bashkëpunimit kundër “Gylenistëve”, nuk është obligative ligjërisht. Të paktën, kështu po thotë njohësi i fushës të sigurisë, Nuredin Ibishi, duke iu referuar dokumenteve publike në dispozicion lidhur me çështjet e sigurisë.

“Çështja e Gylenistëve është më shumë në raportin e politikave të brendshme te shtetit. Kjo çështje përfillet ne aspektin e së drejtës ndërkombëtare, duhet me shumë kujdes të trajtohet kjo çështje e bashkëpunimit”, ka thënë Ibishi për Gazetën Express, teksa ka theksuar se Kosova nuk ka nënshkruar asnjë dokument që e obligon ndërkombëtarisht Kosovën në luftimin e terrorizmit.

Janë çështje qe realisht lidhen me aspektin bilateral, mirëpo Kosova nuk ka nënshkruar asnjë dokument qe e obligon Kosovën në luftimin e terrorizmit, të paktën në dokumentet që janë publike. Për arsye të ndryshme, marrëveshjet e fshehta mes vendeve respektive, nëse ekzistojnë, duhet të jenë publike”, ka potencuar tutje ai.

Gazeta Express ka tentuar të kontaktojë për koment ish-kryesinë e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e “Gylenistëve” (Xhelal Sveçla – kryetar, Driton Selmanaj – nënkryetar), bashkë me disa nga anëtarët e këtij komisioni (Muharrem Nitaj, Frashër Krasniqi), por të cilët nuk kanë qenë të qasshëm në thirrje telefonike.

Përgjatë takimit të mbajtur përpara dy ditëve ndërmjet kryediplomatëve të Kosovës dhe Turqisë në Ankara, Ministri i Punëve të Jashtme turk, Mevlut Çavusoglu, i ka kërkuar Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinajt-Stublla vazhdim bashkëpunimi kundër lëvizjes “Feto”, duke e quajtur atë një rrezik edhe për Kosovën.

Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq. Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Ankaraja dyshoi se ata ishin anëtarë të organizatës “Hizmet” (Turqia i referohet si FETO), të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016, kurse institucioni “Gulistan” konsiderohet i tij.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq ngjalli reagime të shumta, përfshirë edhe ato institucionale. Së këndejmi, Kuvendi i Kosovës formoi një Komision Hetimor Parlamentar për rastin “Gylenistët”. Ish-kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, nga radhët e LVV’së, akuzonte ish-presidentin, Hashim Thaçi, për urdhërdhënie të dëbimit të gjashtë të dëbuarve nga Kosova në Turqi, teksa ky i fundit e mohonte një gjë të tillë, duke thënë se nuk ka qenë në dijeni për diçka të tillë.

Kryeministri në detyrë në atë kohë, Ramush Haradinaj, Ministrin e brendshëm Flamur Sefaj dhe drejtorin Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi. Haradinaj shfajsohej njësoj sikurse presidenti, duke thënë se nuk ishte në dijeni për një veprim të këtillë.

Raporti i Komisionit në fjalë, thoshte se janë bërë 31 shkelje ligjore nga ky dëbim, i cili më pas është miratuar në Kuvend.

Në fund, raporti është dalë me disa rekomandime që kanë rezultuar sipas deputetëve prej mangësive në Ligjet që janë në fuqi në Republikën e Kosovës, siç janë në vijim:

– Të ndryshojë dhe plotësojë Ligjin Nr. 04/L-219 për të Huajt, në mënyrë që të ndalojë dëbimin ose ekstradimin e të huajve në vendet ku ata mund t’i nënshtrohen torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese, në përputhje me parimin e së drejtës ndërkombëtare, non-refoulement.

– Të krijojë një mekanizëm institucional, ose të ngarkojë një institucion ekzistues, me përgjegjësinë për të vlerësuar nëse të huajt, me rastin e dëbimit ose ekstradimit në një vend të caktuar, mund t’i nënshtrohen torturës ose dënimeve ose trajtimeve çnjerëzore ose poshtëruese, në atë vend.

– Të ndryshojë dhe plotësojë Ligjin Nr. 04/L-219 për të Huajt, në mënyrë që të obligohet Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për t’iu komunikuar të huajve bazat faktike për vendimet për revokimin ose refuzimin e leje qëndrimeve, pa përjashtim.

– Të ndryshojë dhe plotësojë Ligjin Nr. 04/L-219 për të Huajt, në mënyrë që të ndalohet dëbimi i të huajve përpara se të ushtrojnë të drejtën e tyre për t’u ankuar kundër dëbimit të vet, tek një autoritet i pavarur.

– Të ngarkojë zyrtarët policorë me kompetencën dhe përgjegjësinë ekskluzive për vërtetimin e identitetit të personave të ndaluar gjatë operacioneve të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

– Të sqarojë, me anë të një ligji të ri, se në cilat rrethana institucionet e sigurisë e kanë për detyrë të informojnë krerët e shtetit, përkatësisht kryeministrin dhe presidentin e Republikës së Kosovës, lidhur me veprimtaritë që këto institucione ndërmarrin dhe informacionet e rëndësishme në posedimin e tyre.

Si pasojë e dëbimit të të ashtuquajturve “gylenistë”, Inspektorati Policor i Kosovës pati ngritur kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Exit mobile version