0.9 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Turqia dyfishon eksportin me Kosovën, por kërkohet mbështetje për prodhuesit vendorë

Si rezultat i marrëveshjes tregtare Kosovë-Turqi për heqjen e tarifave doganore për një numër të madh të produkteve, kryesisht industriale, Turqia në katër vitet e fundit ka dyfishuar eksportin në Kosovë. Kjo marrëveshje që ka hyrë në fuqi në vitin 2019 ka bërë që Turqia të tejkalojë Gjermaninë si importuesi më i madh në vendin tonë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022 Turqia ka qenë partneri kryesor tregtar i Kosovës ndërsa situata mbetet e njëjtë edhe në katër muajt e parë të këtij viti.

Në dhjetë vitet e fundit, Kosova ka importuar mallra nga Turqia në vlerë rreth 4.5 miliardë euro, ndërsa Kosova, për të njëjtën periudhë kohore, ka eksportuar në drejtim të shtetit turk rreth 120 milionë euro mallra.

Importi i madh i mallrave mund t’i vë në pozitë të pafavorshme prodhuesit vendorë, alarmojnë nga komuniteti i biznesit.

Dhoma e Tregtisë, Industrisë në Kosovë (DHTIK) vlerëson se sa herë rritet importi, prodhuesi vendor nuk favorizohet. Të njëjtën e thonë edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës. Sipas tyre, duhet t’i jep prioritet shtimit të prodhimit në Kosovë.

Drejtoresha e DHTIK, Zana Beqiri thotë për KP se shteti duhet të vijë me politika më të mira të subvencionimit të produkteve vendore.

“Problemi është se në momentin që rritet importi nga cilido vend, atëherë kjo nuk e ndihmon produktin vendor. Në përgjithësi importi më i madh nëse nuk është ndërruar kërkesa në treg, atëherë importi ka fituar në raport me produktin vendor. Si shtet duhet të vijmë me politika më të mira të subvencionimit të produkteve vendore, mirëpo edhe të subvencionimit të eksportit, sepse kemi një numër të produkteve të cilat eksportohen jashtë shtetit, mirëpo të vetmen politikë favorizuese që ia bëjmë është zbritjet në taksa, në TVSH për eksport, gjë që nuk është aspak e mjaftueshme… Sikur shtetet e tjera duhet që shteti të jap edhe subvencionet për bizneset që eksportojnë e posaçërisht ato që e rritin prodhimin edhe punësimin vendor”, thotë Beqiri.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna thotë se duhet punuar më shumë që të rritet prodhimi në Kosovë. Sipas tij, nevojitet më shumë përkrahje nga shteti në mënyrë që prodhuesit vendorë t’i rrisin kapacitetet e tyre.

“Çdo import që vjen, nuk është i mirë për vendin tonë, për arsyeje se e mira kish me qenë që të shtojmë prodhimin dhe për këtë arsyeje të gjitha institucionet përfshirë edhe Odën Ekonomike si partner i institucioneve te qeverisë së vendit, duhet të luftojmë që ta kemi sa më të madh të rritur prodhimin tonë dhe të varemi sa më pak prej importit. Mirëpo, jemi në ekonominë e tregut të lirë dhe padyshim se ne nuk kemi mundësi dhe kapacitete që t’i plotësojmë kërkesat e tregut tonë vetëm me prodhimet tona dhe këtë pjesën që na mungon duhet ta plotësojmë prej importit… Prodhuesit tonë duhet t’i rrisin kapacitetet e prodhimit, e për këtë kanë nevojë për ndihmën e shtetit, kanë nevojë për reformimin e politikave fiskale, kanë nevojë për subvencione të ndryshme, dhe për t’ju ndihmuar që të gjejnë treg tjetër jo vetëm rajonal por edhe evropian”, thotë Rafuna.

Se importi e dëmton ekonominë e Kosovës, e thotë edhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Sejdi Rexhepi. Porse, sipas tij, premtimet nga qeveritë e kaluara dhe kjo aktuale po mbesin vetëm në letër, dhe nuk po realizohen.

Kohëve të fundit vërehet një tendencë në rritjen e më të shpejtë të importit nga Turqia. Realisht, ne kemi trashëguar një ekonomi të shkatërruar nga lufta dhe kemi filluar nga zero, periudha e më pastajme ka qenë e shoqëruar me probleme edhe politike e në rend të dytë ka qenë aspekti i zhvillimit ekonomik dhe në ndërkohë janë ndërtuar disa strategji të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por të cilat përpos që kanë qenë në letër, shumë pak prej tyre kanë arritur të zbatohen në praktikë. Këto janë ato që në fund kanë reflektuar në një pozicion të pafavorshëm të bizneseve prodhuese vendore, të cilat janë jo mjaftueshëm, janë zhvilluar me forca të veta pa një politikë të definuar qartë të përkrahjes, sepse qeveritë kanë pasur përkrahje për bujqësi e sektor të caktuar, por nuk ka pas një strategji të definuar qartë të sektorëve strategjik, zhvillimor, që përmes prodhimit vendor të zëvendësohej importi”, thotë Rexhepi.

Mes tjerash, Rexhepi fajëson edhe prodhuesit vendorë, pasi sipas tij, çmimet e produkteve vendore nuk janë të arsyeshme.

Sa herë importojmë jashtë e demontojmë ekonominë tonë, sepse paratë që duhet të mbesin brenda, në një mënyrë dalin jashtë dhe e ndihmojnë zhvillimin ekonomik atje. Si rezultat i kësaj ne duhet të ndërtojmë politika që importin e zëvendësojmë me prodhim vendor… Po ashtu prodhuesit tanë që nga shfaqja e pandemisë kanë qenë jo të sinqertë me konsumatorët vendorë, i kanë rritur çmimet sesa ka qenë e arsyeshme dhe kjo ka bërë që konsumatori të jetë fleksibil, të kalojë nga produkti vendor në produktet e huaja që kanë qenë më të lira”, përfundon Rexehpi.

Marrëveshja tregtare Kosovë-Turqi për heqjen e tarifave doganore ishte nënshkruar në vitin 2013 nga ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, dhe ish-ministri turk i Ekonomisë, Zafer Gjaglajan. Turqia kishte aprovuar marrëveshjen me Kosovën qysh në vitin 2015. Por, në Prishtinë, ajo hyri në fuqi gjashtë vjet pas nënshkrimit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img