9.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Turqia cakton 40 ditë paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e dyfishtë në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur të hënën se autoritetet gjyqësore turke i kanë zgjatur për dyzet ditë paraburgimin autorit të dyshuar për vrasjen e dyfishtë, Lupço Palevski.

Ministria turke e Punëve të Jashtme ka njoftuar Ambasadën maqedonase në Ankara se Kryeprokurori Publik i Balikesirit, qyteza ku u arrestua Palevski, i ka caktuar atij paraburgimin para ekstradimit në kohëzgjatje prej 40 ditësh.

Ministria e Drejtësisë në Shkup i dorëzoi para pak ditësh autoriteteve turke dokumentacionin e nevojshëm me kërkesën për ekstradimin e autorit të dyshuar për vrasjen e vajzës 14-vjeçe, Vanja Gjorçevska në Shkup dhe Pançe Zhezhovskit, 74-vjeçar nga Velesi. Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë një marrëveshje midis tyre për ekstradim, por ekspertët e çështjes në Shkup paralajmërojnë partitë politike dhe median që të mos e politizojnë aktin sepse, sipas tyre, mund të vështirësohen procedurat e ekstradimit të Palevskit në vend.

Ndërsa VMRO-DPMNE e opozitës akuzon qeverinë për lëshime rreth rastit të vrasjes, përkatësisht anashkalimin e hetimit të vrasjes së berberit Zhezhovski në Veles, eksponentë qeveritarë dhe të Lidhjes Social Demokrate në pushtet thonë se Lupço Palevski ishte i afërt me VMRO-në. Ndërkaq, zyrtarë të VMRO-së thonë se policia nuk e kishte kërkuar fare makinën e viktimës në Veles, ndërkohë që ajo ishte pikasur nga kamerat e sigurisë në një a dy lagje të Shkupit, pas aktit të vrasjes. Kjo makinë, më pas u përdor për rrëmbimin e adoleshentes Vanja Gjorçevska në qendër të Shkupit, në hyrje të ndërtesës ku banonte ajo. Opozita maqedonase thotë se vrasja e vajzës mund të mos kishte ndodhur sikur të ishte zbuluar makina e viktimës së parë. Partia kërkon dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovki.

I dyshuari kryesor për vrasjen e dysfishtë, Lupço Palevski u kap më 5 dhjetor në qytezën Balikesir, në jug të Stambollit. Ai fillimisht ishte arratisur në Serbi, me ndihmën e avokatit të tij personal, të cilin e kishte gënjyer, sipas këtij të fundit, se duhej të shkonte atje për një kontroll shëndetësor. Avokati më pas u mor në pyetje në hetuesi në Shkup, por nuk janë caktuar masa kundër tij. Nga Beogradi, autori i dyshuar është larguar përmes Bullgarisë për në Turqi me ndihmën e një qytetari të Strumicës (në juglindje të Maqedonisë së Veriut). Organet hetuese e kishin zbuluar atë dhe atij i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa nuk dihet nëse ky individ i kishte shpjeguar hollësitë rreth arratisjes së Palevskit në Turqi, ku rezultoi në kapjen e shpejt të tij nga polcia e atjeshme.

Ndër pesë të arrestuarit që po mbahen në paraburgim në Shkup ndodhet edhe babai i 14-vjeçarës, Aleksandar Gjorçevski, i dyshuar për përfshirjen në rrëmbimin e saj. Ai dyshohet se i kishte dhënë informata të akuzuarit kryesor, Palevski lidhur me lëvizjet e vajzës së tij.

Ajo u rrëmbye më 27 nëntor në hyrje të ndërtesës ku banonte në qendër të Shkupit. Autoritetet njoftuan se vajzës ia kishin lidhur duart dhe këmbët, e kishin futur në një thes dhe në bagazhin e makinës për ta dërguar pranë fshatit Brazdë në veri të Shkupi. Sipas organeve hetuese, pas rreth tre orësh nga rrëmbimi, vajza ishte ekzekutuar me armë zjarri.

Procedurat e autopsisë kanë përfunduar, por të dhëna konkrete nuk janë bërë të ditura për publikun. Babai i vajzës ka mohuar përfshirjen në vrasjen e saj, ndërkaq njëri nga të arrestuarit ka pranuar pjesëmarrjen në këtë vepër të rëndë.

Nga ana tjetër, rasti i vrasjes së adoleshentes është i mbështjellë me mister, teksa një pjesë e medias flet për njohjen dhe miqësinë e autorit të dyshuar për vrasjen me familjen e viktimës; se gjyshi i Vanjës, i cili kishte qenë më parë drejtor i Doganave, të kishte bërë biznes me Palevksin, ky i fundit i njohur si sipërmarrës në fushën e ndërtimit. Sipas medias lokale, ndërtesën ku banonte vajza me të motrën dhe nënën e sj, e kishte ndërtuar Lupço Palevski.

Sipas dyshimeve të policisë, motivi i rrëmbimit dhe vrasjes së Vanja Gjorçevskës mund të jetë përfitimi material, apo zhvatja e parave nga nëna e saj që kishte shitur së fundmi një banesë të trashëguar prej prindërve të saj. Dy prindërit e vajzës ishin të divorcuar./voa/

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img