0.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

“Turpërim për shqiptarët”, Incidenti në aeroportin e Shkupit me presidenten Osmani përplas partitë politike në RMV

Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar me reagime pas incidentit të ndodhur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit. Kjo parti politike, incidentin e ka cilësuar skandal më të madh diplomatik në historinë e vendit. 

Bashkimi Demokratik për Integrim thekson që asnjë gënjeshtër, asnjë trillim e mashtrim i VLEN, nuk e mbulon diellin me shoshë dhe nuk e lan skandalin më të madh diplomatik në historinë e vendit. 

“Presidenca e Republikës së Kosovës i zbuloi të gjitha gënjeshtrat dhe mashtrimet patetike të vazalëve puthadorë dhe shërbëtorë nga VLEN. Të njëjtën e bëri edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, si dhe koncesioneri privat TAV të cilët konfirmuan që MPB ka dhënë urdhër për ta kontrolluar presidenten Vjosa Osmani”, thekson BDI.  

Sipas BDI-së, vetëm servilët e VLEN-it janë të verbër e të shurdhër si dhe të paditur, por të etur për pushtet, për të zhvatur dhe poshtëruar shqiptarët. 

“Çdo fjalë e juaja është gënjeshtër, çdo veprim i juaji është tradhti, poshtërsim, përkulje, nënvlerësim dhe turpëron shqiptarët. Të gjitha që i thatë, i premtuat dhe u zotuat, i harruat për tu ulur në prehrin e Stroilkoviqit. Përgjegjësi politike sot dhe menjëherë për uzurpatorët jolegjitim të institucioneve Astrit Iseni nga MPB dhe Afrim Gashi nga Kuvendi për turpin që shkaktuan si dhe për të gjithë të përfshirë të tjerë.  Çdo ditë që nuk largoheni nga aty, konfirmoni autorësinë dhe përgjegjësinë mbi skandalin më të madh diplomatik dhe paaftësinë tuaj”, thekson BDI. 

E VLEN i është kundërpërgjigjur akuzave të BDI-së duke i cilësuar ato si propagandë dhe tendencë për ta njollosur Republikën e Kosovës.

“BDI-ja me vetëdije dhe me qëllim përpiqet të manipulojë me opinionin publik. Autoritetet kosovare qartë dhe pa mëdyshje shprehën dyshimin se incidenti është provokuar qëllimisht me synimin për të përkeqësuar marrëdhëniet bilaterale me Kosovën. Fakt i njohur është se para dhe gjatë fushatës zgjedhore BDI-ja nuk hezitonte të shfaqte pakënaqësi ndaj funksionarëve shtetërorë kosovarë sepse nuk e morën mbështetjen e tyre politike. Nuk është rastësi që dje përmendëm se nuk do të habitemi nëse njerëz të afërt me personin A.G., i njohur për korrupsion të madh politik dhe bizneset e kazinove, janë të përfshirë në ndonjë mënyrë në incidentin e aeroportit, thuhet në reagimin e VLEN.

“Meqenëse BDI-ja dërgon komunikata paniku, ndërsa ne nuk duam të pengojmë hetimin, sot do të shtrojmë dy pyetje për opozitën BDI: Cili punonjës i aeroportit, që publikon fotografi në rrjetet sociale me personin A.G., është shfaqur në vendin e incidentit dhe me çfarë qëllimesh dhe arsyesh? Sa krime kanë bërë ish-funksionarët e BDI-së kur në mënyrë kaq poshtër përpiqeni të përfshini Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në përpjekje për të krijuar tensione për të bërë shqiptarët pengje për t’i shpëtuar përgjegjësisë gjyqësore?”, pyesin nga VLEN.

Nga Presidenca e Kosovës kanë thënë se në reagimet e tyre edhe Aeroporti por edhe MPB e kanë pranuar që urdhri për një kontroll të tillë ishte dhënë nga vetë Ministria e Punëve të Brendshme, që sipas presidencës “bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave demokratike”

Presidenca e Kosovës kanë thënë se ajo që ka ndodhur në Shkup, nuk mund të shihet ndryshe “përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Në këtë acarim ndër-institucional Kosovë-Maqedoni e Veriut është përfshirë edhe Ministria e Jashtme e Kosovës e cila ka dërguar një notë proteste për autoritetet maqedonase për incidentin me presidenten Vjosa Osmani.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img