1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Tuneli afër Kuvendit të Kosovës, jepet kontrata 185 mijë euroshe për hartimin e projektit

Një nënkalim i ri do të ndërtohet në Prishtinë, saktësisht në kryqëzimin e rrugëve “Agim Ramadani” dhe “Ibrahim Lutfiu”. Gjatësia e saktë e këtij tuneli ende nuk dihet, por një tender për hartimin e projektit tashmë është shpallur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Vetëm hartimi i projektit do të kushtojë rreth 185 mijë euro.

Projekti i përmendur që nga koha kur Shpend Ahmeti ishte Kryetar i Komunës së Prishtinës, më në fund po shkon drejt jetësimit. Kuvendi Komunal i Prishtinës tashmë i ka dhënë kontratën kompanisë “3D-Project”, për hartimin e projektit kryesor për ndërtimin e nënkalimit (tunelit) automobilistik në kryqëzim të rrugëve “Agim Ramadani” dhe “Ibrahim Lutfiu Prishtinë”. Nënshkrimi i kontratës pritet të bëhet nesër.

Për këtë kontratë ishin parashikuar të shpenzoheshin 450 mijë euro, por që në fund kontrata është nënshkruar për 184 mijë e 670 euro.

Në dosjen e tenderit, si arsyetim për ndërtimin e këtij tuneli, jepet zhvillimi dhe gjallërimi i Zonës Historike.

“Me qëllim të zhvillimit inovativ dhe qëllimeve tjera zhvillimore të Zonës Historike, komuna e Prishtinës me këtë projekt synon që kësaj zone, konkretisht segmentit të rrugës ”Ibrahim Lutfiu’’me fillim nga rruga ,,Agim Ramadani’’, t’i   jep gjallëri, atraktivitet dhe mundësi solide ekonomike  dhe kulturore”, thuhet në dosje.

Aty janë publikuar edhe disa fotografi si referenca se si do të duket projekti.

Detajet rreth këtij projekti kishte thënë nënkryetari i Prishtinës, gjatë një interviste që kishte dhënë në shtator të vitit të kaluar. Ai kishte thënë se pjesa mbi tunel do të kthehet në shëtitore.

“Kemi buxhetuar edhe tunelin në rrugën Agim Ramadani, I cili faktikisht do të ndërtohet një nënkalim ku faktikisht veturat do të hyjnë nën, pra në tunel, kurse krejt pjesa mbi do të kthehet në pedonale ose në pjesë shëtitore, që e lidh Prishtinën e vjetër me sheshin. Konsideroj që është një prej projekteve më të bukura për të cilat ne po insistojmë tutje”, kishte thënë Zogaj.

Ndërtimi i këtij tuneli planifikohet të fillojë vitin e ardhshëm.

“Në kuadër të projektimit do të bëhen edhe analiza arkeologjike të cilat do të na njoftojnë për pjesën nëntokësore, sepse jemi në një zonë historike. Po ashtu do të punojmë në detaje sa i përket pjesës së projektimit dhe pasi ta kemi kontraktorin, për 3-4 muaj do ta kemi projektin dhe jemi të interesuar që pas përmbylljes së projektit ta buxhetojmë që në vitin 2024”, kanë deklaruar para një muaji nga Drejtoria për Investime Kapitale.

Ky projekt ishte përmendur për herë të parë gjatë kohës sa kryetar ishte Shpend Ahmetit. Në buxhetin e vitit 2020, i cili ishte miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, ishte paraparë ndërtimi i një tuneli 300 metra në rrugën “Agim Ramadani”. Për këtë qëllim ishin ndarë rreth 2 milionë euro. /Gazeta Express

 

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img