4.5 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Tunden themelet e Listës Serbe në veri të Kosovës

Lista Serbe shpeshherë ka paralajmëruar “mosbindjen qytetare”, por tani shtrohet pyetja se kujt do t’i drejtohej ajo mosbindje – Qeverisë së Kosovës apo kësaj partie më të madhe të serbëve të Kosovës?

Pas krizës së fundit në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe, për herë të parë liderëve të Listës Serbe, publikisht u janë drejtuar fërshëllima, ndërkaq, bashkë me thirrjet “tradhti, tradhti” atyre u janë drejtuar edhe fyerje.

Dëgjohej edhe brohoritja kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq, me mbështetjen e të cilit u formua Lista Serbe, dhjetë vjet më parë.

Gjatë dekadës së pushtetit të plotë në mjediset serbe në Kosovë, Lista Serbe udhëhoqi protestat e shumta apo barrikadat, me qëllim të kundërshtimit të autoriteteve kosovare.

Mirëpo, kësaj radhe, disa qytetarë të pakënaqur i kanë kundërshtuar në mënyrë të hapur.

Gjithçka nisi më 29 maj, kur serbët filluan të protestojnë para ndërtesave komunale, për të mos lejuar që kryetarët shqiptarë të shkojnë në punë.

Atë ditë, në Zveçan pati konflikt mes serbëve dhe KFOR-it, pavarësisht thirrjeve për disa orë nga ana e kryesisë së Listës Serbe për të pranuar kërkesat e këtij misioni ushtarak të NATO-s, përkatësisht për të lejuar evakuimin e disa pjesëtarëve të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, të cilët ishin në autoblinda, në mes të turmës.

Më pas, më 13 qershor, disa pjesëtarë të komunitetit serb u përpoqën të qërojnë hesapet fizikisht me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq. Kjo ndodhi pas arrestimit të Milun Milenkoviqit në Mitrovicën e Veriut, për të cilin Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Kosovës pretendon se ishte një nga organizatorët e sulmit mbi KFOR-in.

Milenkoviqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muajinga Gjykata Themelore e Prishtinës. Ai akuzohet për “terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe rrezikim të personit nën mbrojtje ndërkombëtare”.

*Video: Ngjarjet e 29 majit në veri në dy minuta

Dhunë, gaz, tension: Zhvillimet në veri në dy minuta

Formimi i Shtabit të krizës?

Ndërkohë, qytetarëve të komunitetit serb në veri, gjatë gjithë kohës u drejtohet Nebojsha Joviq, përfaqësues në Mitrovicë të Veriut i “Lëvizjes për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”, e cila u formua në vitin 2020, siç thuhet, për ta “ruajtur Kosovën si pjesë të Serbisë”.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e pranon dhe që nga viti 2011, të dyja palët po zhvillojnë një dialog për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Joviq thotë se “Lista Serbe nuk mund ta përfaqësojë më popullin, sepse nuk ka njerëz në terren dhe se nuk mund ta menaxhojë situatën”.

I pyetur nëse planifikon të aktivizohet politikisht, Joviq thotë se ai vetëm po lufton për “mbijetesën e serbëve në Kosovë”.

“Këtu ka shumë të rinj, njerëz të mençur, djem të fortë, ata duhet ta bëjnë këtë (të aktivizohen politikisht), ndërkaq ne më të moshuarit jemi këtu për t’i ndihmuar, t’i shtyjmë ata”, thekson Joviq, por ai nuk specifikon se për kë saktësisht bëhet fjalë.

Ai, po ashtu, thotë se qytetarët e komunitetit serb, të cilët janë mbledhur në protesta ditëve të fundit, e kanë pranuar propozimin e tij për formimin e Ekipit negociator apo Shtabit të krizës.

Sipas Joviqit, ky ekip apo shtab duhet të formohet në dy ditë në vijim dhe do të merret me “zgjidhjen dhe parandalimin e krizës” në veri të Kosovës.

“Që ne ta marrim fatin në duart tona… populli duhet të nxjerrë përfaqësuesit e tij”, shprehet ai.

Vendosje e partive të djathta?

Deri në vitin 2013, Nebojsha Joviq ishte edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Serbëve, i cili mblidhte aktivistët e ndryshëm politikë serbë nga pjesa veriore dhe ajo jugore e lumit Ibër. Një grup politikanësh, më 5 qershor, njoftoi se do ta riaktivizojë këtë këshill, por Joviq beson se ai nuk mund të funksionojë më si 20 vjet më parë, kur ishte formuar.

Ai është më shumë përkrahës i idesë së aktivizimit të së djathtës serbe në Kosovë.

“Kam qenë në kontakt me Boshko Obradoviqin, me Milica Gjurgjeviqin, për t’i nisur gjërat lart, për të bërë presion mbi (presidentin serb, Aleksandar) Vuçiqin, në mënyrë që populli këtu, më në fund, t’i ketë përfaqësuesit e tyre”, tha Joviq për Radion Evropa e Lirë.

Boshko Obradoviq është lider i lëvizjes Dveri, ndërsa Milica Gjurgjeviq është kryetare e partisë serbe Zavetnici (Të betuarit). Të dyja partitë janë të djathta dhe kanë përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Serbisë.

Ata kundërshtojnë dialogun me Kosovën dhe e kanë refuzuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi në bazë të propozimit të BE-së, me pretendimin se bëhet fjalë për “kapitullim”.

E djathta në Serbi gjithashtu mbështet Rusinë dhe pushtimin e saj në Ukrainë.

Ndryshe, “Lëvizja për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”, përfaqësues i së cilës në Mitrovicën e Veriut është Nebojsha Joviq, ka bërë thirrje për mbështetje ndaj Rusisë dhe e ka dënuar Serbinë për mbështetjen e Rezolutës së OKB-së, e cila dënon agresionin ndaj Ukrainës.

Fushata kundër Listës Serbe në kanalin Telegram

Që nga fillimi i krizës së re në veri të Kosovës, në kanalet e Telegram-it po përhapen mesazhe kundër Listës Serbe.

Telegram është një platformë online për shkëmbimin e mesazheve dhe informacioneve, si dhe përdoret kryesisht për promovimin e grupeve ekstreme. Gjithashtu, kanalet në gjuhën serbe janë pro-ruse dhe njoftimet e tyre flasin për kundërshtimet ndaj anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Disa nga kanalet e Telegram-it, siç janë “Ariu sllav” (Slovenski medved) dhe “Rebelimi është gjendje shpirtërore” janë aktive në përcjelljen e ngjarjeve në veri të Kosovës.

Në postimet e tyre përdoren terma fyes për shqiptarët dhe gjuhë urrejtjeje, por shihen edhe mesazhe kundër Listës Serbe.

Në një video të datës 13 qershor, të publikuar në kanalin “Ariu sllav”, në përshkrim thuhet: “Serbët po nisin kryengritje kundër Listës Serbe” me thirrjen “Shpërndajeni obligueshëm”.

Radio Evropa e Lirë nuk ka qenë në gjendje të vërtetojë se kush qëndron pas këtyre kanaleve.

Miliçeviq: Për herë të parë u shfaq pakënaqësia

Miodrag Miliçeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, vlerëson se pjesëtarët e komunitetit serb, tash e një kohë të gjatë, janë të pakënaqur me Listën Serbe, por se kjo pakënaqësi vetëm tani ka “dalë në sipërfaqe”.

Një hulumtim i organizatës joqeveritare Aktiv, i cili u publikua në mars të këtij viti, tregoi se Lista Serbe po e humbë mbështetjen.

Miliçeviq shpjegon se serbët nga veriu i Kosovës fajësojnë Listën Serbe për lëvizjet e fundit të autoriteteve të Kosovës, gjegjësisht se u lejoi atyre të zgjerojnë juridiksionin e tyre dhe të shuajnë institucionet e Serbisë.

“Populli në veri të Kosovës ndihet i lënë pas dore, është krejtësisht i painformuar për të gjithë hapat që janë ndërmarrë deri më tani, por veçanërisht u zemëruan me kryetarin e Listës Serbe (Goran Rakiq) për qëndrimin e tij pasiv dhe ndoshta sepse i ka shuar protestat më të rëndësishme”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Miliçeviq thekson se Nebojsha Joviq, në vend të Listës Serbe, tani po flet me popullin dhe shton se ai mund të jetë “zgjidhje e përkohshme”, pra përfaqësues i përkohshëm i popullit nga veriu. Ai, gjithashtu, nënvizon se tani për tani mbetet e paqartë se si do të zhvillohet situata, sepse “pa mbështetjen e Beogradit, opsionet politike do të jetë e vështirë të imponohen”.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Listës Serbe për një koment, por deri në kohën e publikimit të këtij teksti, nuk ka marrë asnjë përgjigje. (REL)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img