-1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

“Tu e goditë me stupc në kokë”, djali dëshmon se se nipat ia vranë babain

Djali i të ndjerit F.K, dëshmitari Alaudin Krasniqi ka thënë se të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica e kishin goditur babain e tij, njëri me kaçavidë e tjetri me stupc të drurit.

Një deklarim të tillë ai e ka bërë në seancën e mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Bali dhe Baki Reçica po akuzohen se kanë vrarë djalin e dajës së tyre, tani të ndjerin F.K, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në dëshminë e tij, Alaudin Krasniqi ka deklaruar se në ditën kritike kishte qenë në shtëpi. Ai tha se pasi kishte dëgjuar bërtimat, kishte dalë dhe e kishte tërhequr babain e tij për në oborrin e shtëpisë së tyre.

“Kam dëgjuar disa britma të vogla edhe kom dal me vrull jashtë shtëpisë, aty e kam pa Baki Reçicën tu e goditë me stupc në kokë. Balia e ka pas shrafsigerin në dorë e për fund e di që e kanë sulmuar me gurë dhe gjithashtu Edmond Reçica e ka sulmu me gurë babin tim”, deklaroi dëshmitari Alaudin Krasniqi.

Ai sqaroi se pas goditjeve me stupc dhe kaçavidë, dy të akuzuarit si dhe Edmond Reçica i kishin gjuajtur me gurë gjatë kohës që së bashku me hallën e tij po e tërhiqnin tani të ndjerin për në oborr të shtëpisë së tyre. Madje tha se edhe e kishin sharë e ofenduar, e se kishte pasur edhe njerëz të tjerë aty në parking.

Ai gjithashtu deklaroi se babain e tij fillimisht e kishin dërguar në emergjencë në Lipjan, e më pas me ambulancë e kishin dërguar në QKUK.

Pas dërgimit në Lipjan, dëshmitari tha se policia kishin shkuar në vendin e ngjarjes.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bali Reçica, avokati Skender Musa e ka ballafaquar dëshmitarin me një pjesë te deklaratës së tij të dhënë në polici, ku u tha se kishte deklaruar “Pas plagosjes e kam pa se babai në dorën e djathtë duke e mbajt plagën kurse me dorën e majtë duke sulmuar te akuzuarit”.

“Ka qenë duke u mbrojtur, e jo duke i sulmuar”, u përgjigj dëshmitari Krasniqi.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet saktë se sa kohe pas ditës kritike kishte dhënë deklaratë në polici, pasi deklaroi se kishte qenë me terapi te psikologu për shkak të rastit të rëndë.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi e ka pyetur dëshmitarin nëse të akuzuarit i kishin marrë edhe mjetet me vete kur ishin larguar apo i kishin lënë aty, Krasniqi tha se nuk i kujtohet, pasi ka qenë i traumatizuar në ato momente.

Ai tha se familja e të akuzuarve më pas kanë dërguar njerëz për besë, por që familja e tij nuk ia kanë dhënë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas dëgjimit të tij, seanca ka vazhduar më dëgjimin e dëshmitarit Shuajb Krasniqi, djali tjetër i tani të ndjerit F.K.

Ai fillimisht deklaroi se në ditën kritike kishte qenë në pushime në Ulqin dhe se në mbrëmje ishte kthyer në shtëpi. Krsniqi tha se familjarët e tij nuk e kishin informuar lidhur me rastin, por vetëm i kishin thënë se babai i tij ishte i sëmurë.

“Kam qenë në pushime në Ulqin, atë ditë jam kthy në Lipjan. Gjatë rrugës familjarët më kanë njoftuar se babi është i smutë dhe nuk kam pas asnjë informacion tjetër deri sa kom arritë në shtëpi. Kur kam mbërri në shtëpi, në ora 9 ose 10 mbrëmje përafërsisht, kom pa që familjarët ishin mbledhur dhe mami me ka tregu se çfarë ka ndodhur”, deklaroi dëshmitari.

Ai tha se në një periudhë kohore prej 10 vitesh janë acaruar raportet mes dy familjeve dhe se sipas tij, provokimet janë bërë nga familja Reçica.

Dëshmitari shtoi se edhe pas rastit që ka ndodhur, familja Reçica ka vazhduar me provokime.

Krasniqi tha se ai personalisht ka pasur provokime nga axha i të akuzuarve, Fehmi Reçica, duke shtuar se i njëjti e kishte kërcënuar më 3 dhjetor 2020.

Ndryshe, në fillim të seancës së mbajtur të premten ka vazhduar dëshminë e tij, babai i tani të ndjerit, dëshmitari Rrahman Krasniqi.

Dëshminë e tij ai e ka nisur në seancën e mbajtur më 2 korrik të këtij viti.

Dëshmitari tha se rrugën për të cilën edhe ka ndodhur rasti e kanë shfrytëzuar deri në ditën kritike, por që gjithnjë me pengesa nga familja Reçica.

Sipas tij, edhe i akuzuari Bali Reçica ka vendosur pengesa në atë rrugë.

“Ka qit edhe Balia edhe të tjerët pengesa në rrugë, i ka thanë djalit tem mos kalo se mu jo por F.K po”, deklaroi babai i të ndjerit.

Meqenëse nuk ishte planifikuar të dëgjoheshin dëshmitarë të tjerë, seanca është ndërprerë për të vazhduar më 4 dhe 9 nëntor 2020.

Edhe pesë dëshmitarë tjerë pritet të ftohen për tu dëgjuar në seancat e radhës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur me 29 janar 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica po akuzohen se më 7 shtator 2019, në rrugën “Lidhja Prizrenit”, në Lipjan, para shtëpisë së tani të ndjerit F.K dhe shtëpisë së të akuzuarve Reçica, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin F.K, të cilin e kanë pasur djalë të dajës.

Në aktakuzë thuhet se derisa kushëriri i tyre, dëshmitari Muhamet Reçica, ishte duke punuar për të akuzuarit, kishte shkuar për të hedhur karrocën me mbeturina betoni afër shtëpisë së tani të ndjerit F.K, përkatësisht në pronën kontestuese për të cilën për l0 vjet kishin mosmarrëveshje në mes të dy palëve, tani i ndjeri nuk e kishte lejuar që ta hedh bërllogun me arsyetimin se i pengonte para shtëpisë.

Sipas aktakuzës, dëshmitari Muhamet ishte kthyer dhe e kishte informuar të akuzuarin Baki, i cili e kishte marrë karrocën me mbeturina dhe sipas marrëveshjes në mes tyre dy të akuzuarit kishin shkuar në vendin e ngjarjes për të hedhur bërllogun, ndërsa pas tyre ishte nisur dëshmitari Muhamet Reçica dhe me të mbërritur, tani i ndjeri iu kishte thënë “kthehuni mbrapa se nuk keni me zbraz kolic me mbeturina këtu”, ndërsa i akuzuari Baki me vendosmëri i kishte thënë “pse nuk bon, un bash këtu kam me e shpraz”, dhe e ka lëshuar karrocën nga dora.

Siç thuhet në aktakuzë, tani i ndjeri F.K, kishte reaguar për t’i penguar, e pastaj të akuzuarit Reçica me dashje që ta privojnë nga jeta e kanë goditur fillimisht me kaçavidë dy herë në gjoks, ku tani i ndjeri F.K, në vetëmbrojte ka marrë një shufër metalike nga toka dhe me të e ka goditur të akuzuarin Bali, ndërsa i akuzuari Bali e ka goditur atë me thikë tek zemra, ndërkohë i akuzuari Baki e ka goditur me shufër pas kokës, ku pas lëndimeve të ndjerin e kishin dërguar në QKUK në Prishtinë, ku të njëjtën ditë ka ndërruar jetë.

Për këto veprime, prokuroria po i ngarkon të akuzuarit Reçica se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173, pika 1.3 lidhur me nenin 31, të KPRK-së, ndërsa të akuzuarin Bali Reçica po e ngarkon edhe me armëmbajtje pa leje, për shkak të thikës që i akuzuari e kishte përdorur në këtë rast.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img