1.6 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Trupi gjykues ia vazhdon paraburgimin Veselit, thotë se ekziston rreziku që do ta pengojë mbarëvajtjen e procedurës së DhSK-së

Trupi gjykues, ka marrë vendim, me anë të së cilit, ia ka vazhduar masën e paraburgimit Kadri Veselit, duke vlerësuar se  ekziston rreziku që i njëjti do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).

Në këtë vendim, thuhet se si çështje preliminare, Paneli do të trajtojë argumentin e Mbrojtjes së Veselit se zbulimet e fundit në kontekst të Çështjes së Zbulimit përbëjnë një ndryshim të rrethanave, të cilat zbutin në favor të dhënies së lirimit të përkohshëm.

Aty thuhet se Paneli ka shqyrtuar argumentin specifik të Mbrojtjes së Veselit për këtë qëllim se dëshmia e një dëshmitari në qendër të çështjes gjyqësore për Çështjen e Zbulimit është mbështetur nga ZPS-ja në parashtresat e saj në kontekst të shqyrtimit të paraburgimit.

“Kolegji konstaton se vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake për vazhdimin e paraburgimit të z. Veseli nuk është bazuar në asnjë mënyrë materiale në informacione që nuk janë të besueshme, ose se asnjë gjyqtar i arsyeshëm nuk mund ta marrë parasysh për qëllimin e kufizuar të vendosjes së kësaj çështje. Paneli gjithashtu konstaton se informacioni i kundërshtuar nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me asnjë nga faktorët e përcaktuar në nenin 41 të Ligjit ose do të ndikonte materialisht në gjetjet e Panelit në lidhje me ndonjë nga këta faktorë. Prandaj, Paneli e hedh poshtë këtë aspekt të përgjigjes së Veseli”, thuhet në këtë vendim.

Tutje, thuhet se Paneli konsideron se, përderisa rreziku i arratisjes kurrë nuk mund të eliminohet plotësisht, në këtë moment nuk janë treguar arsyet konkrete të kërkuara që do të mbështesin konstatimin se Veseli është rrezik arratisjeje.

Prandaj, sipas vendimit, Paneli konstaton se vazhdimi i paraburgimit të mund të mos justifikohet në këtë moment për shkak të rrezikut të arratisjes.

Ata kanë konstatuar se rreziku që  Veseli do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së DhSK-së vazhdon të ekzistojë.

“Paneli konkludon se për momentin nuk ka informata të mjaftueshme para se të arsyetohet konstatimi se vazhdon rreziku që  Veseli të ikë nga drejtësia. Megjithatë, Paneli është i bindur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston rreziku që Veseli të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DhSK-së ose të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë provat në këtë rast dhe/ose duhet të paraqiten para DhSK-së”, thuhet në këtë vendim.

Sipas vendimit, në dritën e zhvillimeve të mësipërme, si dhe faktit se ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme për pengimin e procedurës dhe kryerjen e krimeve të mëtejshme, ku asnjëra prej tyre nuk mund të zbutet mjaftueshëm me zbatimin e masave të arsyeshme alternative, Paneli konstaton se paraburgimi i Veseli për edhe dy muaj të tjerë është i nevojshëm dhe të arsyeshëm në rrethanat specifike të çështjes

Megjithatë, thuhet se trupi gjykues thekson se i Akuzuari tashmë ka qenë në paraburgim për një periudhë të konsiderueshme kohore, dhe gjykimi në këtë rast ka gjasa të jetë i gjatë. Kjo do të kërkojë që Paneli si dhe të gjitha Palët të jenë veçanërisht të ndërgjegjshëm për nevojën për të siguruar që gjykimi të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Tutje, thuhet se ata do të vazhdojnë të monitorojnë në çdo fazë të kësaj procedure nëse paraburgimi i vazhdueshëm është i nevojshëm dhe i arsyeshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13 (1) (h), 16 (1) ( a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.

Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (j), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.

“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (f), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit;  Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (a), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 9:  vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit;  Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thotë aktakuza.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /eo/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img