4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Trump mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, Judah dhe Less e paralajmërojnë Kurtin për rrezikun e madh

Gazetari dhe publicisti britanik, Tim Judah, ashtu si ish-diplomati britanik, Timothy Less patën parashikime aspak shpresëdhënëse për Kosovën në dy intervista të ndara për Gazetën Express për vitin e ri. Ata shohin mundësinë që Donald Trump të bëhet president i SHBA-së. Kjo, sipas tyre, s’do të ishte lajm i mirë për Kosovën dhe kryeministrin e saj, Albin Kurti.

Amerikanët do të dëgjojnë gjatë gjithë këtij viti për të përcaktuar në nëntor se kush do të jetë president i Shteteve të Bashkuara. Këto zgjedhje do të jenë veçanërisht të rëndësishme për Kosovën, të cilën sot e udhëheq një kryeministër i cili pa mëdyshje do të donte që Joe Biden të mbetej president. Albin Kurti në mënyrë të paprecedentë në Kosovë, në zgjedhjet e fundit presidenciale pati shprehur dëshirën që të fitonte kandidati demokrat.

Biden këto ditë e filloi fushatën e tij për një mandat të dytë, duke e konsideruar kthimin e mundshëm të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si kërcënim të madh për vendin më të fuqishëm në botë.

Paralelisht, Trump në një miting të fundit në Iowa u shpreh i sigurt se do të fitojë, duke e konsideruar Bidenin si presidentin më të keq në historinë e SHBA-së.

Në Prishtinë, kryeministri Kurti nuk ka dyshim se vetë do të jetë në pushtet edhe për një tjetër mandat, por ai sivjet me siguri do ta kujtojë periudhën kur gjatë Administratës Trump, i dërguari i SHBA-së atëherë, Richard Grenell i solli jo pak dhimbje koke.

Gazetari dhe publicisti britanik, Tim Judah, ashtu si ish-diplomati britanik, Timothy Less patën parashikime aspak shpresëdhënëse për Kosovën në dy intervista të ndara për Gazetën Express për vitin e ri.

Judah e ka përshkruar si rrezikun më të madh për Kosovën një kthim të mundshëm të Trumpit si president i SHBA-së. I pyetur për përpjekjet e Rusisë për një luftë të re në Ballkan, Judah tha se Kosovës më shumë probleme do t’i shkaktonte Grenelli.

“Unë mendoj se kjo është panikuese. Unë mendoj se Ballkani në një vit do të duket pak a shumë njëjtë sikurse tani. Një rrezik më i madh është nëse Trumpi bëhet president dhe ta bëjë Richard Grenellin Sekretar të Shtetit, që është një ide që aktualisht po qarkullon në Uashington. Grenell mund të shkaktojë shumë më shumë probleme në Kosovë sesa Putini, siç ishte rasti në të kaluarën”, tha ai.

Ai tha se Kosova mbrohet nga NATO dhe kjo nuk do të ndryshojë, “përveç nëse presidenca e Trump vendos ndryshe”.

Timothy Less, studiues në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge-it parashikoi se Serbia do të presë që politika ndërkombëtare të kthehet në favor të saj. Sipas tij, kjo është shumë e mundur këtë vit.

Ai tha se në fund të këtij viti Kosova “do të jetë në një pozitë më të keqe” pasi paraprakisht zgjedhjet europiane dhe ato në SHBA “do ta favorizojnë Serbinë”. Duke përmendur kthimjin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se kjo do ta risillte edhe idenë e ripërcaktimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në BE do të ketë ndryshime që do ta bënin të gjerë mbështetjen në kontient për këtë opsion.

“Kjo do të pasohet nga një valë zgjedhjesh që do ta favorizojnë Serbinë, duke përfshirë zgjedhjet për Parlamentin Europian që do ta favorizojnë partitë nacionaliste-konservatore, zgjedhjet në Rusi që do ta kthejnë President Putinin dhe zgjedhjet në SHBA, të cilat, nëse sondazhet janë të sakta, do ta shohin Donald Trumpin të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ekziston gjithashtu mundësia e një qeverie të re të djathtë në Holandë dhe një kolaps i qeverisë në Gjermani, me kalimin e pushtetit në të djathtën politike”, tha ai.

“Kjo nënkupton një ringjallje të ndarjes që ne e njohim që nga mandati i tij i fundit si zgjidhja e Donald Trump për mosmarrëveshjen e Kosovës, këtë herë me mbështetjen e gjerë të europianëve. Ndërkohë, Serbia do të ketë më shumë liri për të shtyrë për këtë rezultat, nëse është e nevojshme, me mjete shtrënguese, duke pasur parasysh rrezikun në rënie që vendi do të sanksionohej për këtë”, shtoi Less.

Kush ka më shumë gjasa të fitojë?

Donald Trump kryeson ndaj presidentit aktual, Joe Biden, sipas një sondazhi të CNN.

Një vit para zgjedhjeve, në nëntor të vitit paraprak, CNN publikoi sondazhin që tregonte se shanset për rizgjedhjen e Biden janë dëmtuar.

51% e votuesve në SHBA thonë se nuk ka asnjë shans që ata të votojnë për Biden. Gati gjysma, 48%, thonë se nuk ka asnjë shans që ata të votojnë për Trumpin.

Sondazhi i fundit i CNN zbulon se Trump prin ngushtë ndaj Biden në një revansh hipotetik.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img