Site icon PrishtinaPress

Trump konfirmon se djali i Osama bin Laden është vrarë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se tani mund të konfirmojë se Hamza bin Laden, djali i themeluesit të Al-Kaidës, Osama bin Laden, është vrarë gjatë një operacioni ushtarak të kryer në kufirin ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit.

“Humbja e Hamza bin Laden jo vetëm që privon Al-Kaidën nga aftësi të rëndësishme udhëheqëse dhe lidhjes simbolike me babanë e tij, por minon aktivitete të rëndësishme operacionale të grupit”, tha Trump në një deklaratë të lëshuar sot nga Shtëpia e Bardhë.

Mediat më 31 korrik, duke cituar zyrtarë të inteligjencës, raportuan për vrasjen e Hamza bin Laden. Por, ato nuk dhanë detaje lidhur me datën dhe vendin se ku është vrarë ai.

Në muajin gusht, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper kishte thënë se “siç e kam kuptuar” Bin Laden është i vdekur. Por, Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, publikisht nuk e kishin konfirmuar vdekjen e djalit të Osama bin Laden.

Hamza bin Laden besohet se ishte 30-vjeçar.

Në muajin shkurt, Qeveria amerikane kishte vënë 1 milion dollarë shpërblim për informacione rreth vendndodhjes së Hamza bin Laden, duke thënë se ky person, që shpesh konsiderohej si “trashëgimtari i xhihadit”, po shfaqej si “udhëheqës i Al-Kaidës”.

Hamza bin Laden kishte publikuar një video-mesazh ku bënte thirrje për sulme në Shtetet e Bashkuara dhe shtete tjera, për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së babait të tij nga forcat speciale amerikane më 2011 në Pakistan.

Më 1 mars, Arabia Saudite kishte njoftuar se i ka hequr shtetësinë Hamza bin Ladenit. Riadi nuk kishte dhënë detaje se pse ka marrë këtë vendim.

Më 2018, në një raport të Kombeve të Bashkuara theksohej se “propaganda e Al-Kaidës vazhdon të nxjerr në pah një gjeneratë të re udhëheqësish, siç është Hamza bin Laden… me qëllim që të projektojë një imazh të ri për simpatizantët” e këtij grupi.

Exit mobile version