Site icon PrishtinaPress

Tronditet bota e futbollit, lufta mes karteleve të drogës lë të vdekur futbollistin e njohur

Një ngjarje e rëndë raportohet nga Panamaja, ku është bërë publike vrasja në një atentat e futbollistit të kombëtares së këtij vendi, Gilberto Hernandez.

Qendërmbrojtësi ka mbetur viktimë e një ngjarje të rëndë në qytetin e Kolon, ku në muajt e fundit ka nisur një luftë e egër mes dy bandave rivale për të kontrolluar trafikun e drogës.

Vdekja e lojtarit 26-vjeçar, i cili kishte debutuar me përfaqësuesen e vendit të tij në mars dhe pritej të ishte përsëri pjesë e grumbullimeve pasi kishte kaluar në radhët e Independente në Argjentinë, i ka tronditur të gjithë.

Gjatë incidentit, raportohet se ai ishte në një ndërtesë në lagjen veriore të qytetit. Dy persona të armatosur kishin shkuar atje me taksi dhe më pas kishin hyrë brenda duke hapur zjarr.

Nuk dihet ende nëse ai ishte objektivi kryesor i këtij sulmi me armë, por Hernandez ka mbetur i vdekur teksa janë plagosur 7 persona të tjerë.

Kjo ngjarje ka tensionuar situatën në qytetin e Kolon, i cili ka një popullsi prej 40 mijë banorësh, por ku në muajt e fundit ka nisur kjo luftë mes dy bandave për trafikun e drogës që ka lënë të vdekur deri tani 50 persona.

 

Exit mobile version