Trofeu i Kupës së Botës ka ardhur në Kosovë, para se të përfundoj në Katar, aty ku do të mbahet Botërori i këtij viti.
Ardhja e këtij trofeu u mundësua nga “Coca-Cola”, e i pranishëm sot në Prishtinë ishte edhe legjenda e Arsenalit, Gilberto Silva.
Ish-futbollisti brazilian u shpreh tejet i lumtur që gjendet këtu dhe tha se ka dëgjuar për futbollin kosovar.
“Është vërtet kënaqësi për mua që sot jam këtu në Kosovë, të mësoj nga ju, të frymëzojmë gjeneratën e re më këtë trofe. Por, po ashtu të tregojmë me zemrat tona mënyrën sesi jetojmë ne, mënyrën sesi duhet shërbyer të gjithë ju. Kjo është kënaqësi tepër e madhe”, tha Silva.
Edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, u shpreh i lumtur që ky event i madh tashmë e ka përfshirë edhe Kosovën, teksa shprehu shpresën se në të ardhmen e afërt edhe Kombëtarja e Kosovës do të jetë pjesë e finaleve të Kupës së Botës.
“Kjo është një ngjarje vërtetë e rëndësishme për opinionin tonë, për futbollin tonë, për shtetin tonë. Pas 6 vjetësh prej se jemi pranuar në FIFA, erdhi momentin që ngjarja më e madhe që bëhet nga FIFA dhe që vë në lëvizje gjithë botën e futbollit, pra trofeu më i çmuar në rruzullin tokësor, Kupa e Botës, të vije sot në Kosovë. Ky është trofeu origjinal, i cili faktikisht para shtatë muajve jemi dakorduar dhe jemi njoftuar nga FIFA se jemi përzgjedhur për të qenë mikpritës të këtij trofeu. Kjo kupë ka ardhur sot nga dora e një legjendë e futbollit, i cili e ka pasur live dhe e ka fituar këtë trofe. Është një ogur i mirë edhe për neve këtë herë sepse ka ardhur për ta vizituar Kosovën në këtë formë kjo kupë, por nga dora e legjendës Gilberto Silva dhe me fatin e tij besoj se edhe Kosovës do t’i vjen dita kur ta fitojmë dhe të njëjtën kupë ta sjellim këtu, duke besuar në futbollin tonë, në talentin tonë dhe në gjithë njerëzit”, tha Ademi.
Kujtojmë se Kampionati Botëror që do të mbahet në Katar, do të zhvillohet më 21 nëntor e do të përfundojë më 18 dhjetor, dhe e veçanta e tij është se do të mbahet gjatë dimrit, që do të ndodh për herë të parë në histori të kampionateve botërore.