Site icon PrishtinaPress

TRINOMI: MËSUES-SHKRIMTAR-TEOLOG

Shkruan: Lumi Hajra

Shfletimi i historisë së pedagogjisë, letërsisë a teologjisë, sado kalimthi të jetë, vë në pah lidhjen trefishe: pedagog-poet-predikues. Në rast se lexojmë biografinë e mësimdhënësve botërorë, në fjalinë hyrëse, menjëherë pas vitit të lindjes e vdekjes, hasim profesionin e shkrimtarit apo të klerikut fetar. Shpeshherë këto tri profesione ngjizen brenda një personaliteti të vetëm, herë ekziston si binom: mësues-shkrimtar, mësues-teolog dhe shkrimtar-teolog. Shembuj të këtij trekëndëshi profesional, që më shumë mvishet me titullin mision, është evidente kudo e kurdo.

Referuar literaturës ndërkombëtare, ky imazh trengjyrësh daton qysh prej Sokratit, Platonit dhe Aristotelit, ku përveç filozofisë, këto personalitete shquhen për stilin e ligjërimit të tyre, si dhe mjeshtrisë artistike të shkrimit. Madje, metodat e mësimdhënies së tyre bashkë me trajtesat pedagogjike janë ende aktuale, të studiueshme dhe efektive.

Nisur nga historia e pedagogjisë botërore, shohim shumicën e tyre përbrenda këtyre tri brinjëve, duke filluar nga Erazmi (babain e ka pasur prift, më pas ai u emërua prift dhe pedagog), Komenski (teolog i dashuruar me metafizikën dhe pedagog), Ruso (shkrimtar dhe edukator), Pestaloci (teolog, pedagog), Herbarti (teolog, pedagog), Frebeli (i biri i një pastori, meditonte mbi Biblën qysh në rini), Elena Keit (studioi letërsi, fe dhe pedagogji), Marto (letërsi, pedagogji), Montesori (pedagoge, ishte besimtare e fuqishme), Buber (udhëheqës i judaizmit joçifut), Freire (ideator radikal katolik, pedagog), Rogjers (pedagog dhe prift), e deri tek Iliç (prift, pedagog) dhe të tjerë. Sa i takon historisë së letërsisë botërore, kemi shkrimtarë eminentë, që nga Homeri (mësues dhe prijatar i shkrimtarëve klasikë grekë), gjer te Kafka (i biri i një prifti, studioi për prift, shkrimtar i famshëm), etj. Hajrullah Koliqi në librin e tij “Histori e pedagogjisë botërore” theksoi se determintatet historike të edukatës, veç tjerash, është edhe faktori religjioz, ku ndër tjera thotë: “priftërnjët e kryenin të parët punën e mësuesit dhe ndikimi i tyre ishte shumë i madh në predikimet e tyre gjatë veprimtarisë edukative-arsimore”.

Trinomi: mësues-shkrimtar-teolog theksohet edhe më tej sapo të kontekstualizojmë përbrenda hapsirave shqiptare, posaqërisht veprimtarëve shqiptarë. Te historia e pedagogjisë shqiptare, shohim motrat Qiriazi si themeluese të shkollës së parë shqipe për vajza, hartuese të teksteve shkollore, mësimdhënëset e para, shkrimtare, kontribuese të Kongresit të Manastirit, njëherit bartëse të besimit protestant. Historia e letërsisë së vjetër shqiptare përbëhet nga emrat e përveçëm të priftërinjëve shkrimtarë (filobiblikëve), si: Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Gjon Buzuku, Frang Bardhi, etj. Vijuar nga letërsia e bejtexhinjëve (shkrimtarë myslimanë, disa prej tyre hoxhallarë), si: Hasan Zyko Kamberi, Nezim Frakulla, Muhamet Kyçyku- Çami, Mulla Hysen Dobraci, Muçi Zade, Sulejman Naipi, Dervish Hasani, Mulla Beqiri, Hoxhë Dobi, etj. Letërsia romantike shqiptare veçon Jeronim de Radën (babain e kishte prift, vet ishte shkrimtar dhe mësimdhënës në kolegjin arbëresh të Italisë), Konstandin Kristoforidhin (përkthyes i parë i teksteve biblike dhe shkrimtar), Naim Frashërin (mësimet e para i Mori te hoxha i fshatit, hartues i teksteve shkollore dhe ishte poet), Sami Frashërin (shkrimtar, hartues i teksteve shkollore dhe nxënës i hoxhës Hasan Tahsini), etj.

Mësimdhënia tradicionale, ku në qendër të vëmendjes është mësimdhënësi, mësuesi flet gjersa nxënësit dëgjojnë, mësimdhënësi shihet si “i gjithëditur” e të ngjashme, datojnë që prej bartjes së kësaj fryme nga ana e klerit fetar, i cili e kryente edhe rolin e mësuesit. Por, pavarësisht të gjithave, klerikët fetar kanë mbjellur në dhe rreth mësimdhënies e mësimnxënies njerëzoren, trajtimin human, atë se nxënësi para së gjithash është njeri, pastaj mbi të natyrshmen/njerëzoren ndërtonin besimin, bashkë me besimin ushqyen edhe patriotizmin praktik. Rastin e freskët e kemi Shaban Jasharin, mësues dhe hoxhë i fshatit Prekaz, babai i Adem Jasharit, i cili e shkruajti historinë e re të Kosovës.

Pushtuesit përgjatë historisë e kishin traditë që kleri fetar (hoxha apo prifti) të zëvendësonte edhe mësuesin, ngase thuajse ishin figurat e vetme që dinin shkrim-lexim dhe kishin studiuar në shkollën e mesme a universitet, por ndër qëllimet e këtij veprimi ishte që fokusi të jetë te besimi fetar, gjuha në të cilën mësoheshin ritualet fetare e kështu me radhë, mirëpo, fatmirësisht prijësit fetar e kishin kuptuar mirë këtë, ndaj në kuadër të mësim-besimit në xhami e kisha, nxënësit e tyre mësonin shkronjat e alfabetit shqip, shkrim-leximin, lexoheshin vepra shqipe dhe mësoheshin këngë në gjuhën shqipe, normalisht fshehurazi dhe ilegalisht.

/PrishtinaPress/

Exit mobile version