Kjo bjeshkë ka lloj-lloj lisi,
Kur mugullon mali, secilit i dihet fisi!
(Mustafë Shyti)
Që nga lashtësia është thënë se, kur vringëllojnë armët, muzat heshtin. Kjo maksimë urtake duhet të ketë lindur nga vetë mendja femër e krijuesve gjenialë. Këtë e dëshmojnë biografitë e shumë krijuesve shqiptarë e botërorë. Shembull i freskët është rasti më i fundit, ai i Mustafë Shytit nga Ashlani i Vushtrrisë.
Mustafa, poeti i vargjeve të ndrydhura e të anatemuara, mësuesi ndjekur e i përndjekur, erdhi në jetë atëbotë kur trojet e tij stërgjyshore digjeshin flakë e në vend të bukës hahej barut. Dhe, çuditërisht, fatkobet iu bënë bashkudhëtare të pandara të jetës mynxyrore. I edukuar mbarë e mirë në odën e moçme e me traditë të gjyshit Tafë, ku pushka e lahuta bënin jetën e vëllezërve siamezë, edhe vetë çau furishëm shtigjeve të mundimshme të jetës hileqare. Me përpjekje Sizifi e stoicizëm mitik ngadhënjeu mbi dallgët dhe rrebeshet mëshirëpakta, që pa e kursyer fare e përplasnin katrahurave e rravgimeve të gjakosura.
Krahas punës të palodhur edukativo-arsimore, ai përherë valëvitej në krahët e këngës e të vargjeve kryengritëse. Ato i vlonin në shpirtin e trazuar si llavë e zjarrtë vullkanesh. Dhe kështu arriti të vërë gurë të çmuar në kalanë e madhe të kulturës sonë. Në zemër i flinin trimat e kombit dhe Kosova martire, së cilës i drejtohet:
Po ti je kala ndër shekuj
Simbol i qëndresës,
Ndër stuhi e shtrëngata
E pushkës dhe e B E S Ë S.
Mbi të gjitha, ai çmonte atdhedashurinë dhe ndjenjën e sakrificës për atdhe, sepse:
E çmoj shumë gjakun,
Gjakun që urren robërinë,
Kur derdhet për tokë t’Parit
Dhe sjell L I R I N Ë.
Nuk vajti shumë e një ditë topat gjëmuan. Jasharët ua vunë gjokset përballë dhe me gjakun e tyre thurën epopenë e lavdisë. Emrat e tyre sinonim qëndrese. Kurse muzat heshtën. Çiftelia zuri vend në murin përballë e pena futi majën në shishen bojëqielli. Nderi i pacenuar i kullave tona ishte në rrezik të nëpërkëmbej.
-O burra, atdheu është në rrezik,- lëshuan kushtrimin malet me dëborë, që kurrë s’njohën nënshtrimin. Shqipet krahëhapura e symprehta u vunë në gjendje gatishmërie. Edhe në krahun e drobitur të poetit të përvuajtur e të sëmurë shkëlqeu grykëholla…
Ende pa aguar e marta e ligë e 22 shtatorit, Ashlani i Hazir Gjakës u gjend i rrethuar keq. Flaka e topave shndriti para rrezeve të diellit. Kodra e Vogël dhe Varret e Shkreta lëvroheshin nga tanket zinxhirore të soldateskës së shfrenuar serbe. Jeta e vdekja fytafytas. Shpirtzinjtë nuk po bënin dot më tutje. Parzmoret e çelikut nuk u ndihmonin fare. Plumbat e lirisë ua gjenin lulen e ballit. Qielli përflakej si në betejat e moçme të dragojve. Zanat mjekonin të plagosurit nëpër istikame. Shqipet nuk largoheshin dot nga foletë e veta…
Ditët e netët zvarriteshin me shpejtësi breshke. Erdhi edhe 24 shtatori 1998. Dielli po i afrohej zenitit kur andej, nga ana e djathtë, të tjera banda hordhish shfrenuese u dilnin pas shpine luftëtarëve të lirisë. Te Gurët e Nezirit një gacatore shitonte sojzinjtë. Çdo plumb në lule të ballit. Agim Rrahim Ramadani po i jepte shpirt lirisë së shumëpritur…
Sakaq, te Uji i Sokolave, sikur shkreptiu moti për së kthjellti. Ca krisma jehuan larg e larg. Lugjet mbajnë iso. Nën shelgun degëvarur, ku kishin lindur shumë poezi, rrodhi rrëke gjaku i ëmbël i poetit. Muza Kaliopë ia njomte buzët e shkrumbëzuara me ujin e ftohtë akull. Tutje, në baltë, zhgërryheshin tri hijezeza, të bëra copë-copë nga dorë e tij. Nga korijet e monopatet përreth erdhi zëri kumbues: Trimat jetojnë pas vdekjes!
O Zot, belbëzoi ai, pa mundur t’i hapë sytë, kush foli kështu?
Jo, jo, askush, jo. Ato ishin vargjet e tij, që zbritën nga lartësitë e hirta për ta marrë me vete, në pavdekshmëri. Furfurima e tyre dehëse valëviste degët e shtegut jetëgjatë e gjaku i lirisë ia vadiste rrënjët…
Atë ditë, në Ashlan, për në Altarin e lirisë, u radhitën tok:
- Mustafë Shyti (51)
- Arsim Ibrahimi (14)
- Sheremet Sheremeti (42)
- Rrahim Mehmeti (60)
- Musë Shaban Sheremeti (60)
- Lutfi Hyseni (65)
- Hajrullah Gjaka (70)
- Selatin Hyseni (28)
- Halit Hyseni (40)
- Hamit Hyseni (41)
- Idriz Mehmeti (85)
- Kada Mani (70)
- Milazim Mani (36)
- Asllan Sheremeti (70)
- Bislim Imeri (30)
- Agim Rrahim Ramadani (38), Prekaz i Epërm
- Hysen Murati (70), Balinc, dhe
- Ismet Zherovnica (60), Balinc.
Kur ua kthyem shpinën varrezave të reja, muzgu krahëzi mbulonte fshatin me heshtjen e tij të frikshme. Një zë bufi andej nga Sordovi, veçsa e shtonte ankthin. Dhiareve të ngushta malore ngjitesha i shoqëruar vetëm nga hëna, që gjasonte në draprin pa bisht. Natën, deri vonë, s’më zuri gjumi. Mendja më mori fre si kali i harlisur. Kujdesshëm e rilexova libirin “Dallgë jete” të poetit atdhetar Mustafë Shyti.
Dhe, në kujtesë m’u ngulit vargu kuptimplotë: Trimat jetojnë pas vdekjes!
Epitaf i bukur, edhe për TË, apo jo?…
Edhe më të qarta na dalin vargjet e Tij profetike:
Letërnjoftimi më mungon,
E kam në lapidar,
Epitaf që nuk shlyhet
Dëshmor e Atdhetar!