Site icon PrishtinaPress

Tri opsione dhe tre skenarë: Çfarë ndodhë në Veri nëse nuk ka marrëveshje në Bruksel?

Bashkimi Evropian ka ftuar në takim kryeministrin, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq. Josep Borell, shef i diplomacisë evropiane, ka thënë se nuk bën të na zë data 21 nëntor pa një zgjidhje për çështjen e targave, derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lëshuan komunikatë përmes Departamentit të Shtetit, ku i japin përkrahje BE-së në dizajnimin e një marrëveshje.

Përkundër këtij angazhimi diplomatik, e hëna mund t’i gjejë policët e Kosovës në veri duke shpërndarë gjoba për shoferët e makinave me targa “KM” dhe iniciale të tjera të qyteteve të Kosovës, që Serbia i lëshon ende si qëndrim politik se “Kosova është pjesë e Serbisë”, prandaj ato përbëjnë akronime ilegale në Kosovë.

Frika e Bashkimit Evropian është se situata mund të eskalojë shumë dhe shpejt, sidomos pas kërcënimeve të Listës Serbe, se ata do të përgjigjen ashpër në momentin e parë që një serbi në Veri i shpërndahet një gjobë.

Prandaj, kanë kërkuar nga Kosova, që përkundër se janë në anën e tyre të drejtë, ta shtyjnë vendimin për një kohë prej 10 muajsh. Vendimi është mbështetur nga amerikanët qysh nga fillimi.

Por, krye-negociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka quajtur jo të mençur këtë qasje, ku Serbia tolerohet të kërcënojë dhe gjithashtu, duke komentuar situatën në Veri, ai deklaroi në një intervistë për televizionin publik të Kosovës se ndryshe nga BE-ja, qeveria nuk e sheh me të njëjtin rrezik gjendjen në veri.

Por, në këtë situatë, çfarë pritet të ndodhë?

Fillimisht, janë tri opsione që ka në dispozicion qeveria e Kosovës.

I pari është që Qeveria të pranojë kërkesat euro-amerikane për shtyrje të vendimit për targat dhe të pranojë kërkesat për fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas marrëveshjes së vitit 2013 në Bruksel dhe duke marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese për dokumentin e parimeve të përgjithshme të vitit 2015.

Me këtë, Kosova fiton argumentin se është pala konstruktive, e kthen dialogun në tema të mëdha për çështjen e marrëveshjes së përgjithshme me Serbinë, bazuar në një propozim franko-gjerman që për model ka dy-Gjermanitë dhe tashmë ka filluar të njihet si Marrëveshja Bazë, ku në dy faza parashikohet të vihet deri te zgjidhja përfundimtare e problemit dhe pas diku 10 vjetësh Serbia mund ta njohë Kosovën dhe të dyja bashkë të futen në BE.

Opsioni i dytë është që të shtyhet vendimi për targat dhe të fillojë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por jo sipas marrëveshjeve paraprake, por duke hartuar një ligj të ri me propozimin e qeverisë së Kosovës, i cili do të akomodonte zotimet ndërkombëtare të marra në 2013 nga Kosova dhe do t’u ikte përplasjeve me kushtetutën e Kosovës.

Albanian Post ekskluzivisht ka publikuar këtë dokument prej nëntë faqesh të punuar nga ekspertë ndërkombëtarë që tregon formulën se si arrihet deri te asociacioni përmes ligjit të ri.

Edhe me këtë opsion Kosova fiton terren si partner konstruktiv strategjik dhe ri-hapë mundësinë për ikje nga status quoja drejt marrëveshjes potenciale për zgjidhje finale përmes propozimit franko-gjerman.

Opsioni i tretë i qeverisë është që të mos shtyjë vendimin për targa, përkundër kërkesës, sepse është në të drejtën e Kosovës që ta zbatojë ligjin në gjithë territorin e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët njësojë.

Gjithashtu, përmes një parimi universal në të drejtën ndërkombëtare dhe përmes Ligjit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të provojë ta rrëzojë krejtësisht marrëveshjen e vitit 2013 dhe ta bëjë të qartë edhe përmes veprimeve konkrete se nuk do ta themelojë Asociacionin.

Mundësia është ligjore dhe bazohet në parimin kryesore të së drejtës ndërkombëtare “Rebus Sic Stantibus”. Ky parim madje është i përjetësuar edhe në ligjet e Kosovës. Ligji për Marrëveshje Ndërkombëtare, neni 18 e qartëson krejtësisht situatën.

Por, se çfarë ndodhë nëse Kosova zgjedh këtë opsion, është shumë më e paqartë sesa nëse zgjedh dy opsionet e para.

Gjithsesi, parashikueshmërisht, ky opsion do prodhonte disa skenarë të mundshëm.

I pari dhe më i buti, mund të jetë ai që përafërsisht u përshkrua nga Besnik Bislimi kur tha se megjithatë situata nuk është në aq tension sa e paraqesin ndërkombëtarët.

Fillon dhënia e gjobave, por serbët në Veri, njëjtë siç nuk e paguajnë energjinë elektrike, nuk i paguajnë as gjobat e veturave. Ata vazhdojnë me targa ilegale, derisa katër komuna mbesin pa qeverisje komunale, sepse asnjë nga partitë serbe nuk pranon të regjistrohet në Komisionin Qëndror Zgjedhor që të zhvillohen zgjedhjet.

Qytetarët mbesin krejtësisht pa mirëmbajtje nga qeverisja komunale dhe ngadalë fillon funksionimi i strukturave paralele ku administrata që ishte inkuadruar në institucione të Kosovës kalon në struktura paralele që paguhen nga Serbia dhe praktikisht funksionojnë jashtë juridiksionit dhe ligjit të Kosovës.

Mbajnë zgjedhje paralele, zgjedhin strukturat udhëheqëse politike dhe minohet shtrirja e sovranitetit në atë pjesë. Vazhdon status quoja e rënduar, rritet kontrabanda dhe mbahet tensioni.

Në Bruksel largohet fokusi krejtësisht nga marrëveshja finale dhe vazhdohet me bisedime për menaxhimin e krizës. Gjithçka kthehet në kohën e para vitit 2013, kur serbët nuk ishin të kyçur në strukturat shtetërore të Kosovës.

Një opsion tjetër, më i zymtë, është ai i reagimit të serbëve në veri me barrikada në momentin e parë që fillojnë gjobat.

Bllokohet, siç kishte ndodhur një vit më parë, gjithçka në veri dhe pikat kufitare me Serbinë mbesin oaza që policia e Kosovës duhet t’i mirëmbajë me njësitet speciale.

Jeta politike mbetet e bllokuar ose kalon në struktura paralele krejtësisht, derisa u krijohet mundësia grupeve kriminale në Veri të zgjerojnë fushëveprimin. Prapë, në Bruksel lihet anash diskutimi për marrëveshje përfundimtare dhe kalohet në menaxhim të krizës e bisedime për gjetjen e një zgjidhje për situatën e krijuar.

Skenari i tertë, dhe më i rëndi, është që të dal i vërtetë kërcënimi i Listës Serbe që ata do të përgjigjen me forcë në momentin e parë që jepet një gjobë për një veturë me targa ilegale. Nëse ndodhë diçka e tillë, do të ishte i mundur një konflikt – përmasat e të cilit aktualisht është e pamundur të parashikohen – dhe veriu do të kthehej në një zonë përplasje mes policisë së Kosovës dhe grupeve kriminale paraushtarake siç është “Brigada e Veriut”.

Një rrezik të tillë ka paraparë edhe EULEX-i, prandaj ka njoftuar se kanë filluar patrullimin me këmbësorë në Veri.

Një konflikt i hapur do ta detyronte KFOR-in, në bazë të mandatit të vetë nga OKB, rezoluta 1244, të aktivizohej si përgjegjësi i parë për sigurinë në atë pjesë. Bashkë me KFOR-in, do të ndërhynte edhe EULEX, si polici patrulluese.

Kështu, nga Policia e Kosovës pikat kufitare do të kalonin te KFOR-i, dhe EULEX do të luante rolin e policisë së Kosovës në atë zonë, duke e kthyer situatën para vitit 2011 dhe shteti i Kosovës praktikisht do të pushonte së ekzistuari në Veri.

Negociatat në Bruksel, në vend se për një zgjidhje finale, do të fillonin të zhvilloheshin me pyetjen se “Kujt i takon Veriu?”.

Të gjitha këto do të mund të shmangen, nëse arrihet një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë në Bruksel para datës 21 nëntor.

Se a do të ndodhë kjo, do kuptohet pas takimit Kurti – Vuçiç që po përgatitet në Bruksel.

Exit mobile version