Ndërmarrja “Trepça” ka thënë se vendimi i menaxhmentit për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme afariste në dy njësi biznesore të ndërmarrjes — minierat me flotacion Trepça-Stantërg dhe Kishnicë-Artanë, po tentohet të mobilizohen të gjitha kapacitetet për të stabilizuar gjendjen operative dhe financiare të ndërmarrjes.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të ndërmarrjes në Facebook, thuhet se gjatë pjesës së mbetur të vitit, ndërmarrja synon rritjen e prodhimit dhe kufizimin e shpenzimeve sipas një plani të veprimit të miratuar nga Bordi Mbikëqyrës.
Për këtë qëllim thuhet se janë intensifikuar punët në minierë dhe flotacion dhe janë pezulluar pushimet vjetore për muajt shtator–nëntor.
“Rikujtojmë se ndërmarrja është përballur sivjet me vështirësi financiare dhe operative, ndërkohë që rrezikohet nga përmbarimi i borxheve të trashëguara në vlerë prej mbi 3 milionë euro. Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mbi 8 milionë euro për ta mbështetur ndërmarrjen gjatë vitit 2024”, ka thënë ndërmarrja “Trepça” në këtë postim.
Ditëve të fundit, ndërmarrja ka “përjashtuar” nga puna rreth 15 minatorë.
Këto masa nisën pasi Faton Ahmeti mori detyrën si ushtrues detyre të Kryeshefit në “Trepçë”, dhe si arsye kanë shkeljet e rënda të detyrave.
Faton Ahmeti u caktua ushtrues detyre pasi ish-kryeshefi ekzekutiv Bashkim Kurti u shkarkua pasi Gjykata Themelore anuloi emërimin e tij pas ankesës së kundërkandidatit, Burim Asllani.
Ndërkaq sot, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ përmes së cilit do të trajnohen dhe certifikohen minandezëzit.
“Me kërkesë të Trepçës, me qëllim të rritjes së kapaciteteve nxjerrëse të xehes në Minierën e Stantërgut, sot kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ përmes së cilit mundësohet trajnimi dhe certifikimi i minandezësve nga institucionet tona, aq sa do të jenë të nevojshëm për Trepçën”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai tha se si qeveri, do të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm që “Trepça” të ngrihet e të zhvillohet.