(Radio Evropa e Lirë) – Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar të premten një pjesëtar të Njësisë Speciale të Kosovës me tri vjet burgim për plagosjen e një banori serb në veri të vendit vitin e kaluar, tha për Radion Evropa e Lirë avokati i viktimës, Millosh Deleviq.
Polici Korab Pepaj u dënua për veprën penale “vrasje në tentativë”, pasi u akuza se në prill të vitit 2023 e plagosi qytetarin Millosh Jovanoviq.
Pepaj ka të drejtë të ankohet ndaj vendimit të shkallës së parë në Gjykatën e Apelit.
Gjykata Themelore në Mitrovicë nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës së REL-it për koment.
Deleviq theksoi se, në parim, është i “kënaqur” me vendimin e gjykatës, duke thënë se është vërtetuar se polici e ka qëlluar dhe plagosur klientin e tij.
“Nuk është siç pretenduan ai dhe mbrojtja e tij në gjykatë, se ai nuk e kishte bërë këtë. Qëllimi ynë nuk ishte dënimi i lartë, por të vërtetohej ajo që vërtet ndodhi”, tha Deleviq.
Millosh Jovanoviqit u plagos më 10 prill në Urën e Bistricës, ndërmjet Zveçanit dhe Leposaviqit, në veriun e banuar me shumicë serbe.
Megjithëse Policia fillimisht e mohoi përfshirjen, më vonë ajo e pranoi dhe njoftoi se i kishte pezulluar nga detyra katër oficerë policorë si të dyshuar për përfshirje në të rast.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi asokohe se hetimet fillestare treguan se përkundër sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, Millosh Jovanoviq nuk e kishte ndalur automjetin dhe zyrtari policor shtiu me armë në drejtim të veturës duke e plagosur atë.
Autoritetet kosovare vendosën forca shtesë në veri të vendit pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës, përfshirë policinë. Forcat shtesë përbëhen kryesisht nga policë të komunitetit shqiptar, të cilët nuk pranohen nga popullata lokale./RadioEvropaeLirë