Të enjten janë bërë tre muaj që kur është zhdukur biznesmeni Bedri Rexhepi. Pasditen e 8 prillit, ai doli për të mos u kthyer më.
Institucionet përgjegjëse deri më sot kanë dështuar në zbardhjen e këtij rasti dhe gjetjen e 38-vjeçarit. Edhe njohësit e sigurisë vlerësojnë se rasti i tij po neglizhohet nga organet e sigurisë.
Lidhur me zhdukjen e Bedri Rexhepi tashmë është arrestuar, Jeton Vllasaliu, i cili po qëndron në paraburgim.
Meqenëse të dyshuarit Jeton Vllasaliu i është vazhduar paraburgimi familjarët besojnë se prokuroria ka prova ndaj tij për përfshirje në rastin e zhdukjes se Bedri Rexhepit, por për ta e çuditshme është se si prokuroria nuk ka arritur deri tani të detyrojë të dyshuarin që të tregojë se ku gjendet Bedri Rexhepi.
Prokuroria e Kosovës vazhdon të kthejë një përgjigje të njëjtë prej muajsh sa herë bëhen pyetje në lidhje me këtë çështje.
Familjarët e të riut nga Shtimja kanë lutur qytetarët që për çdo informacion që kanë t’i drejtohen policisë, duke ofruar edhe shpërblim.
Përmes një përgjigje me shkrim, Prokuroria Themelore e Prishtinës për KosovaPress konfirmoi se hetimet po zhvillohen në drejtim të veprës penale “Rrëmbimi”.
“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke i vazhduar hetimet rreth këtij rasti”, thuhej në shkresën e Prokurorisë.
Një ditë pas zhdukjes, vetura e Bedri Rexhepit ishte gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit, me vete dyshohet se kishte një shumë të konsiderueshme parash.
Por mos gjetja e asnjë gjurme të Bedri Rexhepit tash e 3 muaj po shihet si shumë shqetësuese nga njohësit e sigurisë të cilët thonë se edhe organet përgjegjëse nuk e kanë prioritet aspektin hetimor në rastet e personave të zhdukur.
Njohësi i sigurisë, Drizan Shala thotë se është shqetësues fakti se si institucionet përgjegjëse nuk kanë mundur të përafrojnë hetime apo motivet që kanë shtyrë deri tek zhdukja e 38-vjeçarit.
Krahas policisë e prokurorisë, Shala thotë se në kërkime dhe hetimet për zbulimin e fatit të Bedri Rexhepit duhet të angazhohet edhe AKI-ja.