Në barometrin e korrupsionit thuhet se 50 për qind e qytetarëve të Moldavisë, Spanjës (66), Kosovës (65) Sllovenisë (59), Bosnjë e Hercegovinës (55), Kroacisë (51) mendojnë se korrupsioni është problemi thelbësor me të cilin përballen shoqëritë e tyre.
Problemet me korrupsionin shtrihen edhe në Serbi ku 39 për qind e qytetarëve e vlerësojnë si kryesorin, ndërkohë që në Maqedoni dhe Mal të Zi kjo përqindje arrin në 34 dhe 31 për qind.
Sipas hulumtimit të TI-së, qytetarët e Ukrainës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Moldavisë, rreth 80 për qind vlerësojnë se qeveritë e tyre e kryejnë shumë keq punën e tyre.
Një në tre qytetarë të Evropës dhe të Azisë Qendrore thonë se korrupsioni dhe ryshfeti janë problemet më të mëdha me të cilat përballen vendet tyre, thuhet në Barometrin Global të Korrupsionit.
Në vendet e BE-së dhe në Commonwealth dhe Shtetet e Pavarura, rreth një e treta e respondetëve thonë se ky është problem madhor (32 % dhe 34 %) ndërkohë që kjo përqindje rritet dhe dy në pesë respondentë e vlerësojnë si problemin më të madh në shtetet para anëtarësimit (40 për qind).
Qytetarët në Kosovë, Spanjë dhe Moldavi veçanërisht, kanë më shumë gjasa që të mendojnë se korrupsioni është ndër problemet kryesore me të cilat përballet vendi i tyre, me dy të tretat e qytetarëve që thonë se duhet të jetë prioritet i qeverisë së tyre (nga 65 deri 67 për qind).
Qytetarët në Gjermani më së paku e shohin korrupsionin si problemin më të madh të vendit të tyre (2 për qind). Kjo çështje është gjithashtu shqetësim i vogël edhe për qytetarët e Suedisë dhe të Zvicrës, me një në 10 qytetarë ose më pak që mendojnë se duhet të jetë prioritet i qeverisë së tyre ku duhet të përqendrohet (6 dhe 10 për qind).
Në Barometrin Global të Korrupsionit shumica e qytetarëve gjithandej Evropës dhe Azisë Qendrore i shohin problemet me korrupsionin të ndërlidhura me politikën. Në bazë të hulumtimit, deputetët e Parlamenteve shihen si më të korruptuarit dhe pas tyre vijinë zyrtarët e qeverive.
Sektori privat është gjithashtu i parë si i korruptuar, ndërkohë që afërsisht 25 për qind e qytetarëve mendojnë se zyra presidentit, zyrtarët e taksave, policia, gjykatësit dhe këshilltarët e kuvendeve komunale janë të korruptuar.
Liderët fetarë vlerësohen më pak të korruptuar dhe ndodhen në grupin e fundit dhe vetëm 17 për qind e qytetarëve mendojnë se ata janë të përfshirë në korrupsion.
Qytetarët e Ukrainës, Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës, si dhe të Rumanisë, kanë më shumë gjasa që të mendojnë se parlamentarët e tyre janë të korruptuara.
Në këto vende, më shumë se gjysma e qytetarëve thonë se përfaqësuesit e tyre janë shumë të korruptuar, me tri të katërtat në Moldavi p.sh. (76 për qind), ndërkohë që Kosova radhitet lart në listë, me 46 për qind të qytetarëve që mendojnë se deputetët e Parlamentit janë të korruptuar.
Në Gjermani, Zvicër, Holandë, Grenlandë dhe Belgjikë, qytetarët i shohin deputetët e parlamenteve të tyre të jenë të pastër.
Më shumë se gjysma e qytetarëve të vendeve të BE-së, rreth 53 për qind, e kandidatëve për anëtarësim, 53 për qind gjithashtu, pastaj vendet e ish- bllokut të Bashkimit Sovjetik, 56 për qind, mendojnë se qeveritë e vendeve të tyre janë të pasuksesshme në luftën kundër korrupsionit
Transparency International ka biseduar me 60 mijë qytetarë në 42 vende të Evropës dhe të Azisë Qendrore që në raportin “Njerëzit dhe korrupsioni në Evropë dhe Azinë Qendrore”, të arrijnë në përfundimet e Barometrit Global të Korrupsionit për vitin 2016.
Mesatarisht një nga 6 amvisëritë paguajnë ryshfet për të pasur qasje në ndonjë prej shërbimeve publike. Megjithëse ky është nivel më i ulët në BE, në lindje kjo përqindje është në rritje.
Në Taxhikistan, ku ryshfetet për shërbimet publike që do të duhej të ishin të qasshme për të gjithë dhe pa pagesë, paguajnë rreth 59 për qind e qytetarëve, në Moldavi 42 për qind dhe Rusi 34 për qind.
Rumania është vendi me shkallën më të lartë të pagesës së ryshfetit për shërbimet publike, në mesin e vendeve të BE-së, dhe Lituania e pason me 24 për qind.
Në rajonin e Ballkanit, për shërbime publike më së shumti ryshfet jepet në BeH, 27 për qind, në Serbi 22 për qind, kurse në Kroaci dhe Kosovë rreth 10 për qind..
Një nga gjetjet kryesore të raportit është se një numër i madh i qytetarëve, edhe brenda BE-së, mendojnë se individë të pasur kanë shumë ndikim në vendimet që i marrin qeveritë.
Në vendet kandidate për anëtarësim në BE, përqindja arrin në 44, kurse në vendet e ish Bashkimit Sovjetik në 46 për qind.
“Korrupsioni është një problem thelbësor në gjithë Evropën dhe në rajonin e Azisë Qendrore. Në vendet e BE-së shumë qytetarë shohin se si të pasurit dhe zyrtarët e qeverive shtrembërojnë sistemet në dobi të tyre”, thotë Jose Ugaz, kryetar i TI-së.
Një prej problemeve kryesore në luftën kundër korrupsionit është mungesa e mbrojtjes së atyre që flasin kundër korrupsionit.
Madje, 30 për qind e qytetarëve në Evropën dhe Azinë Qendrore që kanë marrë pjesë në anketën e TI-së thonë se një nga problemet kryesore pse nuk e lajmërojnë korrupsionin është frika nga individë të caktuar.
Dy në pesë persona që e kanë lajmëruar korrupsionin kanë qenë viktima të hakmarrjes. (REL)
Transparency International: Kosova, Bosnja, Kroacia, Spanja dhe Moldavia, vendet më të korruptuara
Më shumë se 50 për qind e qytetarëve të Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë, Spanjës e Moldavisë, mendojnë se korrupsioni është një prej tri problemeve kryesore me të cilat përballen vendet e tyre, thuhet në një hulumtim të Transparency International, të publikuar të mërkurën.