Dy persona gjatë së dielës kanë vdekur si pasojë e lëndimeve që kanë marrë gjatë kohës sa ishin duke i punuar arat me traktor.
Policia e Kosovës ka njoftuar se këto dy raste kanë ndodhur në Prizren dhe në Podujevë, shkruan Demokracia.com.
Sipas njoftimit, në Podujevë, dyshohet se viktima ka rënë nga traktori në tokë dhe nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve.
Ndërkaq në Prizren, viktima derisa ishte duke punuar arën, nga pakujdesia e ka humbur kontrollin e traktorit dhe i njëjti mjet është rrokullisur.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës për të dy rastet e vdekjes:
MOSEVITIM I RREZIKUT
Podujevë 09.10.2022 – 11:33. Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime vdekjeprurëse, pasi dyshohet se ka rënë nga traktori në fushë-arë punuese. Viktima është dërguar në QKMF Podujevë, por ekipi mjekësor ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarës dhe janë duke hetuar rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
INCIDENTET KRIMINALE
VDEKJE AKSIDENTALE
Prizren 09.10.2022 – 14:43. Viktima mashkull kosovar derisa ishte duke punuar ka pësuar lëndime vdekjeprurëse, pasi që dyshohet se nga pakujdesia është rrokullisur me traktor. Viktima është dërguar në emergjencë, por ekipi mjekësor ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion./Prishtinapress/