Një karrierë me 70 ndeshje, një sfidë e fundit dhe një titull botëror në lojë. Luftëtari 40-vjeçar Mirhad Babic do të ngjitet më 31 tetor në ring në Bronschhofen të Zvicrës, me synimin për ta përmbyllur karrierën e tij me titullin e Kampionit të Botës në K1, nën drejtimin e trajnerit shqiptar nga Gjilani, Rinor Ramizi.
Në kuadër të eventit Fightnight Wil, Babic do të përballet me tajlandezin Jakkapat Makkhaloed, i cili ka një përvojë prej 120 ndeshjesh profesioniste. Përballja do të jetë një sfidë e rëndësishme për të dy luftëtarët, ndërsa për Babicin kjo mund të jetë nata që do t’i japë fund karrierës në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pavarësisht moshës dhe përvojës së kundërshtarit, Babic shprehet i gatshëm për sfidën, duke vlerësuar përgatitjet intensive dhe punën me trajnerin e tij.
“Jam 40 vjeç, por ndihem përsëri si 20! Falë përgatitjeve të shkëlqyera me trajnerin tim, Rinor Ramizi, ndihem në formë të jashtëzakonshme, i fortë dhe më i uritur se kurrë për fitore”, ka deklaruar Babic.
Ai ka theksuar se e respekton kundërshtarin nga Tajlanda, por objektivi i tij mbetet vetëm fitorja, për ta mbyllur karrierën me një sukses të madh.
Në përgatitjen e tij është angazhuar trajneri shqiptar Rinor Ramizi, me prejardhje nga Gjilani i Kosovës, themelues dhe kryetrajner i klubit Bloodsport Bodensee në Zvicër.
Ramizi ka udhëhequr një proces disa mujor përgatitor, duke u fokusuar në aspektet fizike, teknike, taktike dhe mendore të luftëtarit. Sipas tij, përvoja e kundërshtarit është një faktor që duhet respektuar, por jo arsye për t’u frikësuar.
“120 ndeshjet profesioniste të kundërshtarit nuk na frikësojnë. E respektojmë përvojën e tij, por statistikat nuk fitojnë ndeshje. Në ring vendosin inteligjenca, disiplina, strategjia dhe karakteri”, ka thënë Ramizi.
Trajneri shqiptar është shprehur i bindur në përgatitjen e Babicit dhe në punën e bërë së bashku gjatë muajve të fundit, duke theksuar se synimi i tyre nuk është vetëm pjesëmarrja në një duel për titull, por fitimi i tij.
Përballja do të zhvillohet më 31 tetor 2026, në Bronschhofen të Zvicrës, në kuadër të Fightnight Wil, për titullin botëror të WKU-së në disiplinën K1.
Për Babicin, kjo është mundësia për ta mbyllur një karrierë të gjatë me një trofe të rëndësishëm, ndërsa për Ramizin një mundësi për ta kurorëzuar punën e tij si trajner në arenën ndërkombëtare.
Detajet e përballjes:
* Eventi: Fightnight Wil
* Data: 31 tetor 2026
* Vendi: Bronschhofen, Zvicër
* Titulli: WKU World Title – K1
* Përballja: Mirhad Babic – Jakkapat Makkhaloed
Rrjetet sociale:
* Instagram: @coach.rinor
* Instagram: @bloodsport.bodensee
* Instagram: @mirhadbabic_
