Tragjedia e familjes Bogujevci ku mbetën të vrarë 14 anëtarë nga forcat serbe, ndërkaq mbijetoi Saranda Bogujevci duke i bërë ballë 16 plumbave, ka tërhequr vëmendjen e dramaturges britanike Sara Hehir.
Pikërisht mbi bazën e histories së familjes nga Podujeva po ndërtohet shfaqja “Kopshti i hijeve” me regji të Nastazja Domaradzka në Teatrin e Qytetit në Gjilan.
“Drama ‘Kopshti i hijeve’ e shkruar nga dramaturgia britanike Sara Hehir, është e bazuar në masakrën e familjes Bogujevci në Podujevë, gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe vjen premierë në Teatrin e Gjilanit, me regji të regjisores angleze me origjinë polake, Nastazja Domaradzka”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Gjilanit.
Familja Bogujevci u vra, katër ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, në Podujevë, më 28 mars 1999 nga pjesëtarët e një njësie paraushtarake serbe të njohur si “Akrepat”. Viktima më e re ishte dy vjeçe.
“Gjatë kësaj masakreje, Saranda Bogujevci, iu mbijetoi 16 plumbave, dhe humbi 14 anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit. Me përfundimin e konfliktit dhe hyrjen e trupave të NATO-s, Bogujevci dhe katër kushërinjtë e mbijetuar u evokuan në qytetin anglez të Mançesterit, ku ajo u operua dhe vazhdoi mjekimin, si dhe studimet”, njofton tutje Teatri i Gjilanit.