Trafikonin emigrantë nga Shqipëria e Kosova në SHBA, Britani dhe Kanada, 24 persona në pranga

55
Advertisement

Policia ka shkatërruar një rrjet kriminal që trafikonte persona drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë, duke vënë në pranga 24 persona. Hetimet në lidhje me këtë grup kriminal filluan pas evidentimit të një rasti të shitjes së një pasaporte të falsifikuar amerikane në Tiranë dhe më pas u zbulua një rrjet i tërë. Hetimet janë ndjekur nga SPAK që i kërkoi gjykatës që 15 persona të gjykohen nën masën e arresti me burg, 7 nën detyrim paraqitje dhe 2 në gjendje të lirë. Për të finalizuar operacionin “Crystal Eagle” janë angazhuar 300 forca policie.

Advertisement

“Ky grup kriminal, pasi siguronte dokumente të dyshuara të falsifikuara në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme si në Kosovë etj., rekrutonte persona të interesuar, me qëllim udhëtimin e tyre për në SHBA, Kanada, Mbretëri të Bashkuar etj., dhe gjithashtu u siguronte akomodimin në vende të ndryshme të BE-së, biletat e udhëtimit etj.”.

Hetimi ka nisur nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Më pas u krijua një Task Forca hetimore shqiptaro-amerikane.

“Anëtarët e këtij grupi kriminal, dokumentet e dyshuara të falsifikuara i dërgonin me autobusë të agjencive turistike, kryesisht në Itali dhe në Gjermani dhe nga aeroportet e këtyre vendeve shtetas të ndryshëm tentonin t’i përdornin dokumentet e falsifikuara, me qëllim destinacionin e tyre final”.

Operacioni nisi mbrëmjen e së premtes dhe u shtri në disa rrethe të vendit. Mësohet se personat që pajiseshin me dokumente false paguanin nga 5 mijë deri në 10 mijë euro, në varësi të destinacionit që preferonin. Të arrestuarit akuzohen për disa vepra penale, nga trafikim i qenieve njerëzore, falsifikim i pasaportave dhe vizave, grup i strukturuar kriminal, kalim i paligjshëm dhe shpërdorim detyre./Tv Klan

PostAdssFotoja e reklamës