Site icon PrishtinaPress

Traditë apo diskriminim? 5 vende të ndaluara për gratë dhe 5 vende të ndaluara për burrat

Duket e pabesueshme, por edhe në mijëvjeçarin e tretë, shumë vende në botë nuk mund të vizitohen nga gratë ose burrat.

Kriteri gjinor është vendosur në shumë raste nga traditat e një vendi, në raste të tjera nga normat e lashta të lidhura me fenë, e në të tjera nga barrierat e ngritura për arsye sigurie.

Vendet e ndaluara për gratë

Mali Athos, Greqi

Ndonëse është shpallur Trashëgimi Kulturore Botërore në vitin 1998, gjë që do ta bënte të hapur për të gjithë, mali ndodhet në një zonë të paarritshme dhe kërkon një leje të veçantë edhe për vizitorët meshkuj, ndërsa për gratë është rreptësisht e ndaluar. Kjo gjë është vendosur që në shekullin e 11-të, kur u ndalua jo vetëm hyrja e grave, por e çdo qenie të gjallë të gjinisë femërore. Të vetmet krijesa me ADN femërore të lejueshme janë macet, thelbësore për gjuetinë e minjve.

Tempulli i Ayyappan, Sabarimala, Indi

Tempulli është një vend i shenjtë për hindutë dhe i ndaluar për të gjitha gratë e moshës 6 deri në 60 vjeç, si një mënyrë për të përjashtuar praninë e femrave në moshë riprodhuese. E gjithë kjo ndodh për shkak të Zotit Ayyappan, të cilit i është kushtuar tempulli. Perëndia i është përkushtuar dëlirësisë, prandaj prania e grave në moshë riprodhuese në tempullin e tij konsiderohet e papërshtatshme.

Haji Ali Dargah, Mumbai, Indi

Një tjetër vend i shenjtë, po në Indi. Sot ky vend kulti nuk i lejon gratë të hyjnë, por gjatë një periudhë të kufizuar kohore gjatë vitit 2012, ishte e mundur që gratë të hynin aty. Mirëpo kjo u pa si një shkelje e rëndë e traditës, ndaj dhe u ndryshua sërish.

Mali Ōmine, Japoni

Mali Ōmine, i cili u bë një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2004, vazhdon të jetë i mbyllur për gratë për shkak të një tradite të lashtë. Vetëm burrat mund të ecin nëpër shtigjet shkëmbore që të çojnë në tempullin budist, në majë të malit. Gratë konsiderohen një shpërqendrim dhe tundim për murgjit dhe për pelegrinët që shkojnë në tempull.

Stadiumet e futbollit, Iran

Deri në vitin 2019, asnjë grua në Iran nuk mund të hynte në stadiume, edhe nëse shoqërohej nga burri i saj ose një i afërm mashkull. Arsyeja e ndalimit ishte se gratë nuk lejohen të jenë në kontakt ose pranë me burra që nuk kanë lidhje. Megjithatë, ndonëse ky ligj tashmë është hequr, tradita e fortë bën që gratë dhe vajzat ende të mos ndihen të lira të shkojnë në stadium.

Vendet e ndaluara për burrat

Pylli i mangrove, Papua, Indonezi

Në provincën indoneziane të Papuas shtrihet një pyll që është i ndaluar për burrat. Është një zonë ku një komunitet femrash mbledh butakë, por gjatë punës gratë shpesh mund të heqin rrobat, ndaj burrat kategorikisht duhet të qëndrojnë larg ose do të përballen me gjoba të rënda. Ata madje mund të rrezikojnë edhe burgun.

Plazhi El Pedocin, Trieste

Emri “El Pedocin”, në dialekt do të thotë morra, ndodhet në Trieste dhe është ndoshta e vetmja zonë plazhi në Evropë e ndarë, veç për burrat dhe veç për gratë. Ndarja vlen edhe në ujë, ndaj kërkohet leje e veçantë për të hyrë në seksionin e seksit të kundërt.

Fshati Umoja, Kenia

Ky fshat kenian “vetëm për gratë”, i krijuar në vitin 1990 me iniciativën e matriarkes Rebecca Lolosoli, lindi nga nevoja për të ofruar mikpritje dhe strehim për gratë e dhunuara që i ikin abuzimeve seksuale ose që dëbohen nga burrat e tyre.

Tempulli i perëndeshës Sarasvati, Rajasthan, Indi

Ka shumë vende në Indi ku zbatohen kufizimet gjinore. Një prej tyre është tempulli kushtuar perëndeshës Sarasvati, gruaja e perëndisë Brahma. Ndalimi i burrave lidhet me një ngjarje që rrëfehet në mitologjinë hindu. Brahma duhej të kryente një ritual me Sarasvati-n, por ajo erdhi me vonesë, kështu që perëndia iu drejtua një perëndeshë tjetër. Për këtë arsye, Sarasvati u tërbua deri në atë pikë sa mallkoi tempullin dhe të gjithë burrat që do ta vizitonin atë.

“SuperShe”, Finlandë

Një vend vetëm për gratë është dhe ishull i vogël në brigjet finlandeze, “SuperShe”, krijuar nga Kristina Roth, një amerikane me origjinë gjermane. Në të mund të jetojë çdo grua që dëshiron të nisë jetën nga fillimi dhe të qëndrojë larg çdo burri./PrishtinaPress/

Exit mobile version