Kosova 100 milionëshe, më e vlefshme se Rumania e Bjellorusia, ua zbulojmë “Dardanët” më të shtrenjtë të momentit dhe vlerën e ekipit kombëtar
Kombëtarja e Kosovës është gati për dy ndeshjet e qershorit, ndaj Rumanisë sonte dhe kundër Bjellorusisë të hënën që vjen.
“Dardanët” nuk e nisën dhe aq mirë kampanjën kualifikuese të Euro 2024 me dy barazime në muajin mars, ndaj Izraelit dhe Andorrës.
Ekipi i Aain Giresse do t’i kërkojë dy fitore në ndeshjet e 16 dhe 19 qershorit.
Por, a kanë kapacitet Verdhekaltrit t’i fitojnë 6 pikë brenda tri ditësh?
Kosova i ka plot 8 futbollistë që do të jenë pjesë e Top 5 ligave më të forta evropiane në edicionin 2023/24.
Ata u treguan mjaft të suksesshëm edhe në edicionin që e lamë pas.
Amir Rrahmani u shpall kampion i Italisë me Napolin, kurse Milot Rashica kampion i Turqisë me Galatasarayn.
I jashtëzakonshëm ishte edhe Vedat Muriqi, i cili e ndihmoi Majorkën të mbetet në La Liga dhe ishte njëri prej golashënuesve më të mirë në La Liga.
Por, cilët janë më të vlefshmit prej tyre?
Nga sa para duhet t’i paguajnë klubet e interesuara për kartonët e tyre!?
Ne do t’ua prezantojmë Top 10 lojtarët më të shtrenjtë aktualë të Kombëtares së Kosovës.
Pa dyshim, Amir Rrahmani e ka vlerën më të lartë në treg, shkruan “Gazeta Express”.
Qendërmbrojtësi i Napolit, i cili së fundmi e vazhdoi kontratën, vlen plot 25 milionë euro.
Pozita e dytë është e rezervuar për gjigantin e sulmit, Vedat Muriqi.
Super-sulmuesi prizrenas, i cili po kërkohet nga disa klube evropiane, vlen 15 milionë euro.
Portieri Aro Muriç, i cili e ndihmoi Burnleyn të inkuadrohet në Premierligë, vlen 12 milionë euro.
I katërti në listë është Milot Rashica. Futbollisti vushtrrias, i cili është në pronësi të Norwichit, vlen 8,5 milionë euro.
Ndërkaq, në vendin e pestë renditet ai që konsiderohet si “Messi i Kosovës”. Po flasim për Edon Zhegrovën.
Mesfushori i Lillet, i cili thuhet se po pëlqehet nga Milani, e ka vlerën në treg 7 milionë euro.
Në vendin e gjashtë e shohim Mërgim Vojvodën.
Mbrojtësi i pandalshëm anësor i Torinos vlerësohet 5 milionë euro.
Pas tij, i shtati më radhë është Arbër Zeneli.
Kartoni i mesfushorit kreativ të Reimsit në Francë vlen 4 milionë euro.
Sikur të mos ishin lëndimet që e përshkuan viteve të fundit, me siguri se ylli kosovar do të vlente disafish më shumë.
E në vendin e tetë gjendet Zymer Bytyqi.
Futbollisti ofanziv i Olympiakosit vlerësohet 3,5 milionë euro.
Në vendin e nëntë gjendet mbrojtësi, Florent Hadërgjonaj.
Futbollisti anësor i Kasimpasas në Turqi vlerësohet 3,1 milionë euro.
Ndërkaq, pozita e dhjetë i takon Bersant Celinës, shkruan “Gazeta Express”.
Futbollisti ofanziv, i cili u rikthye në Angli për t’ju bashkuar Stok Sitit vlen 2,5 milionë euro.
E sa i përket lojtarit më të lirë të momentit te Kosova, ky epitet i takon Samir Ujkanit.
Veterani i portës, i cili është pjesë e Empolit në Itali, aktualisht vlen 200 mijë euro.
Kaq sa i përket vlerës së lojtarëve.
E nëse e shikojmë vlerën e ekipit, Kosova është më e vlefshme se dy kundërshtarët e ardhshëm të këtij muaji.
Ekipi aktual i “Dardanëve” vlen gati 100 milionë euro, më saktësisht 97 milionë, shkruan “Gazeta Express”.
Rumania vlen 75,9 milionë euro, kurse Bjellorusia 12,08 milionë euro.
Duhet cekur se këto të dhëna i kemi siguruar nga faqja e specializuar e transfereve, “Transfermarkt”.