Akuzat e ashpra ditën e sotme ndërmjet ambasadës së SHBA në Tiranë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, kanë zënë vëmendjen kryesore në media.
Sulmeve ndaj shefit të diplomacisë amerikane në Tiranë, u është shtuar edhe një tjetër gjyqtar. Bëhet fjalë për Artan Lazaj, Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj, i cili e pohon edhe vetë që është një prej anëtarëve të sistemit të drejtësisë të cilëve iu është revokuar viza amerikane.
Ai ka reaguar në një koment në Facebook, ku ka përdorur edhe një gjuhë të ashpër kundrejt ambasadës amerikane për revokimin e vizës.
Gjatë një replike me gazetarin investigativ, Artan Hoxha lidhur me përplasjen Llalla-Lu, gjyqtari Lazaj shkruan se është lodhur dhe nuk e kupton vendimin e ambasadës për vizat, ndërsa shton se nuk i është dhënë asnjë shpjegim.
“Artan, e thënë në këto momente nga Ambasadori duket e pabesueshme. Pse
pikërisht sot, që shkroi shqetësimin Prokurori, apo e ka kapur zakoni shqiptar.
Ka ardhur momenti që boll më me misticizma e hidhu pirdhu, po çdo njeriu duhet
t’i vihet festja, nga më i madhi e deri më i vogli, vendas apo i huaj. Ky
misticitet në revokimin e vizave nuk më pëlqen fare. Kontrolli bëhet në
momentin e dhënies së vizës e mandej po shkel rregullat e atij vendi apo përbën
rrezik për atë vend mund të revokohet. Secilit që iu është revokuar
duhet t’i jepet një qëndrim personal e jo kështu në përgjithësi “kemi
informacion”. Besoj nuk janë ISIS të refuzuarit, por njerëz të nderuar të këtij
kombi që me të mirat e të këqiat kanë dhënë kontribute më shumë se çdo
politikan në jetë. Kështu mbeten të pabesueshëm. Kjo nuk do të thotë që
veprimet e nxituara të ambasadorit më kanë shuajtur dashurinë për USA, përkundrazi
ma ndezën më tepër”, shkruan Lazaj.