Site icon PrishtinaPress

Time Kadrijaj, tregon se në çfarë cilësie do të intervistohet më 18 shtator në Gjykatën Speciale

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, pritet të intervistohet nga Gjykata Speciale më 18 shtator.

Kadrijaj në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, tha se sot zyrtarisht ka pranuar ftesën nga Gjykata Speciale për intervistim.

“Më 18 shtator është data kur do të intervistohem nga Gjykata Speciale. Sipas shkresës që pranova do të intervistohem në cilësinë e dëshmitares, dhe unë do t’i përgjigjem kësaj ftesë. Nuk kam çfarë të dëshmojë përveç luftës së drejtë që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Kadrijaj për Telegrafin.

Ajo kritikoi deputetët të cilët e kanë votuar krijimin e Gjykatës Speciale.

“Është turp që deputetët e kanë votuar Gjykatën Speciale e cila fton t’i intervistojë ushtarët çlirimtarë të Kosovës, është një degradim të ftohet një mjeke që ka shërbyer në luftë”, pohoi ajo.

Në fund, ish-deputetja Kadrijaj tha se është e lumtur që ka qenë pjesë e UÇK-së.

“Është periudha më e ndritur e jetës time që kam qenë bashkë me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe këtë do ta dëshmojë në Hagë”.

Theksojmë se Gjykata Speciale ka intervistuar edhe kryeministrin në dorëheqje njëherësh kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

Nga Gjykata Speciale deri më tash kanë ardhur mbi 70 ftesa për intervistim. I pari që pati konfirmuar pranimin e ftesës nga prokurori i specializuar është Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit. Pas Mustafës pasuan edhe ftesat e reja nga Specialja. U ftua ish-udhëheqësi i Gjykatës së UÇK-së Sokol Dobruna, ish-ushtari i UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut Safet Syla, ish-eprori i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut Sabahajdin Cena, Nazif Mehmeti, i njohur si komandant “Dini”, Remzi Shala, ish-komandant i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, i njohur me pseudonimin “Molla e Kuqe”, Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së, Mendim Daka, njëri prej ish- udhëheqësve të Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Kuçi, ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit Ramush Haradinaj, ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Nerodimes, Shukri Buja, ish-zëvendëskomandanti i “Brigadës 128” i Zonës Operative të Pashtrikut, Avdi Ibrahimi, ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së./Telegrafi/

Exit mobile version