Site icon PrishtinaPress

Thirrjet e ‘pasinqerta’ për unitet politik

Përfaqësuesit e partive politike opozitare, kanë qëndrime të ndryshme lidhur me thirrjet e drejtuesve institucionalë të vendit për unitet të spektrit politik. Përderisa qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës konsideron që është e gatshme për një unitet të tillë të spektrit politik, por thirrjet e drejtuesve të ekzekutivit për një gjë të tillë, i cilëson të pasinqerta.

Aktakuzat e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, që njihen edhe si Gjykata Speciale, e kanë destabilizuar krejtësisht skenën politike dhe tashmë imponohet një ndryshim i sjelljes dhe veprimeve të aktorëve politikë në vend, vlerëson njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri.

Dhomat e Specializuara kanë ngritur aktakuzë për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit ndaj Hashim Thaçit, tashmë ish-president i Kosovës, Kadri Veselit, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe lider i deritashëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqit, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimit, ish-shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe Salih Mustafës, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për t’u përballur me gjendjen e krijuar në vend, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngritur nevojën e koordinimit institucional. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur nevojën për unitet politik, në situatën nëpër të cilën po kalon vendi.

Sipas Hotit, “pavarësisht zhvillimeve politike e proceseve në të cilat kalon vendi, si rezultat i dorëheqjes së presidentit të vendit, tash forcat politike duhet të bëhen bashkë që të japin mesazhin e maturisë së institucioneve të Kosovës…”.

Opozita jounike lidhur me unitetin e spektrit politik

Fitore Pacolli, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, partia kjo më e madhe opozitare, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë vendit i nevojitet një qeveri demokratike dhe legjitime. Sipas saj, nuk mund të shkohet në drejtim të asaj që kinse po krijohet unitet i spektrit politik, duke ndërtuar struktura qeverisëse, të cilat siç thotë ajo, nuk e kanë besimin e qytetarëve.

“Thirrjet janë për të kërkuar që këta që janë në pushtet, të rrisin pazarin e tyre dhe të tentojnë që në këtë formë ta legjitimojnë veten. Ne, prapë po themi që nuk mund të vazhdojmë kështu, duke krijuar kinse unitet politik, por duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Qytetarët le të vendosin, qytetarët le ta zgjedhin qeverinë e cila përfaqëson shumicën dhe e udhëheq popullin. Nuk mund të krijojmë qeveri, kinse të unifikuar, duke rehabilituar persona që nuk janë votuar prej qytetarëve. Kjo është e rrezikshme, kjo nuk duhet të ndodhë”, tha Pacolli.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Valdete Idrizi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se uniteti i spektrit politik të Kosovës është dashur të ndodhë shumë më herët dhe jo vetëm tash, pas thirrjeve të kryeministrit Hoti.

Sipas saj, vetë Partia Demokratike e Kosovës, më herët pati kërkuar unitet të spektrit politik për çështjet që kishin të bënin me integritetin e shtetit dhe për dialogun me Serbinë, për të shkuar më sigurt drejt një paqeje të qëndrueshme.

“Sidomos edhe tash, në situatën në të cilën ndodhet Kosova, natyrisht që secilës thirrje për unitet, ne si parti edhe si individ, si dhe në të gjitha cilësitë e mundshme, natyrisht që do t’i thosha po. Kjo për shkak se nuk po flasim këtu për individ të caktuar, por po flasim për interesat e shtetit tonë dhe të ardhmen e shtetit tonë dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Do të doja të besoja shumë që fjalët i përcjellin me vepra. Por, deri më tash i kemi parë komplet ndryshe, sepse veprat kanë qenë tërësisht ndryshe e fjalët krejtësisht ndryshe. Unë mendoj që shembulli më i mirë që dikush ta bindë qytetarin se e ka përnjëmend, janë veprimet konkrete dhe jo vetëm fjalët e kota”, thekson Idrizi.

Analisti, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që liderët e partive politike do të bënin gabim në rast se do të silleshin sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe se gjendja brenda vendit është normale. Sipas tij, ngritja e aktakuzës nga Dhomat e Specializuara ndaj presidentit të shtetit dhe disa politikanëve me rëndësi të madhe në jetën parlamentare, kanë shkaktuar një gjendje jonormale në vend.

Thirrjet për unitet të spektrit politik në këtë periudhë, sipas Muhaxhirit, duhet të jenë të sinqerta, ndërkohë që edhe partitë opozitare duhet ta ndryshojnë qasjen në luftën politike të deritashme.

“Nuk është e drejtë që të vazhdohet lufta politike, siç ka qenë deri më tani. Këto thirrje për unitet politik, shpeshherë duken moralizuese dhe abstrakte. Mirëpo, në periudhën aktuale politike, ftesat e tilla janë realiste sepse shteti i Kosovës, politika e Kosovës, nuk mund të funksionojnë pa një ndryshim të kursit dhe pa një ndryshim të qasjes së përgjithshme, në kërkim të një konstruktiviteti shumë më të madh sesa që ka qenë deri më tani”, tha Muhaxhiri.

Ai shtoi se mobilizimi i përgjithshëm politik në kërkim të unitetit, është përgjegjësi e të gjithë aktorëve politikë, të pushtetit dhe të opozitës.

“Të gjithë aktorët më të rëndësishëm politikë kanë përgjegjësi, sepse do të jetë meritë e tyre nëse arrihet ky unitet dhe do të jetë faji i tyre në rast se ndodh e kundërta. Mirëpo, edhe ofertat për unitet nuk duhet të bëhen në mënyrë sipërfaqësore dhe në mënyrë formale, por ato duhet të jenë të sinqerta dhe të planifikuara mirë, në mënyrë që të gjithë aktorët të konsiderohen meritorë, nëse një gjë e tillë arrihet”, theksoi Muhaxhiri.

Sipas tij, kushdo prej aktorëve të skenës politike apo edhe partive politike që synon të sigurojë përfitime të zakonshme politike, në këtë periudhë delikate për vendin, do të gabonte, për shkak se situata në vend, siç tha ai, është e jashtëzakonshme.

Thirrje për unitet të spektrit politik nga udhëheqësit e ekzekutivit ka pasur edhe më herët, sidomos për t’iu qasur dialogut me Serbinë. Por, deri më tash, qeveria nuk ka pasur një ofertë formale për të sqaruar se çfarë ofron.

Së fundmi, Isa Mustafa, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga e cila është edhe kryeministri Avdullah Hoti, ka shkruar në rrjetin social Facebook se për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit duhet të ketë një marrëveshje, e cila siguron përkrahje të gjerë dhe 80 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

 

Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të vendit, më 5 nëntor, për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Exit mobile version