Site icon PrishtinaPress

“Theu barrikadën…” – Reagon kompania që organizoi Prishtina Football Fest, ku u arrestua asambleisti i VV-së

KD Events & Communications ka reaguar pasi u përfol se hyrja në Prishtina Football Fest është me pagesë. Kjo kompani ka thënë se hyrja në këtë pjesë është pa pagesë ndërsa hyrja në Zonën VIP është për sponsorët dhe partnerët.

“Fillimisht, dëshirojmë të falënderojmë të gjithë qytetarët që morën pjesë në ndeshjen e sotshme ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës në Prishtina Football Fest, në Sheshin “Xhorxh Bush”. Duhet të adresojmë dezinformatat që vazhdojnë të qarkullojnë: hyrja në Prishtina Football Fest ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë falas. Zona VIP është e rezervuar për partnerët dhe sponsorët tanë, ndërsa pjesa tjetër e zonës është falas për të gjithë, me politikën se kush vjen i pari, shërbehet i pari, për shkak të kërkesës dhe frekuentimit të lartë të njerëzve.”

Kjo kompani ka folur edhe për arrestimin e asambleistit të VV’së në Prishtinë, Arianit Beqiri, i cili sipas tyre nuk i është përmbajtur rregullave dhe e ka kundërshtuar Policinë e Kosovës.

KD Events & Communications ka shtuar se Beqiri e ka thyer barrikadën dhe më pas kanë hyrë qytetarë pa pasur vende të mjaftueshme.

Sipas tyre kjo ka shkaktuar kaos e më pas janë thyer tavolina dhe karrige.

“Fatkeqësisht, një individ nuk iu është përmbajtur rregullave dhe ka kundërshtuar Policinë e Kosovës. Fillimisht, personi në fjalë ka thyer barrikadën, e cila është thelbësore për ruajtjen e kontrollit dhe sigurisë së turmës, dhe pas thyerjes së saj, qytetarët kanë hyrë brenda pa pasur vende të mjaftueshme për të gjithë. Me kaosin e shkaktuar, janë thyer shumë tavolina dhe karrige, si dhe është vënë në rrezikshmëri jeta e qytetarëve që kanë qenë pjesëmarrës nga fillimi. E gjithë kjo ka ndodhur si pasojë e një individi dhe veprimeve të tij, për qëllime personale. Incidenti ka ndodhur jashtë zonës së rrethuar të Prishtina Football Fest, por përkundër turmës së madhe të njerëzve, kemi arritur që të reagojmë në kohë me të gjitha masat e nevojshme. Ndërsa brenda zonës së organizimit nuk ka pasur incidente dhe nuk është lënduar askush nga publiku.”

Kjo kompani ka thënë se kanë paguar plotësisht për shfrytëzimin e hapësirës publike.

“Gjithashtu duam të sqarojmë se kemi paguar plotësisht shfrytëzimin e hapësirës publike në Komunën e Prishtinës, si dhe të gjitha institucionet tjera për ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik, duke përfshirë policinë, ambulancën, zjarrëfikësit dhe kompaninë private të sigurimit. Çdo pretendim për uzurpim të hapësirës publike është i rremë.”

“Edhe një herë, ju bëjmë me dije se Prishtina Football Fest është e hapur për të gjithë qytetarët që e duan sportin, që e duan futbollin. Falenderojmë edhe njëherë policinë dhe sigurimin për ruajtjen e rendit, si dhe të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin tek organizimet tona shumëvjeçare. Përveç këtij incidenti nga një individ, ndeshja e sotshme është përmbyllur me sukses dhe profesionalizëm. Ju presim përsëri në ambientin e njëjtë, të pastër dhe të rregulluar për ndeshjet e rradhës!”

Exit mobile version