3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj ish-kryeshefit të PTK-së, Shyqri Haxha

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Shyqri Haxha. 

Haxha po akuzohet se PTK-së i ka shkaktuar dëm mbi 9 milionë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të ushtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit Haxha, avokati Ramë Gashi.

Sipas këtij vendimi, gjykata ka konstatuar se kërkesat e mbrojtjes janë të pa mbështetura në dispozita ligjore. Madje, sipas gjykatës nuk janë argumentuar asnjëri nga kushtet e parapara në nenet 249 dhe 250 të KPPRK-së.

Gjykata ka arsyetuar se provat e grumbulluara në këtë rast japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i akuzuari Haxha e ka kryer veprën penale “lidhja e kontratës së dëmshme”.

Tutje, në vendimin e siguruar thuhet se gjykata ka vlerësuar edhe pretendimin e mbrojtjes se në këtë lëndë ka kaluar afati kohor i hetimit dhe ka gjetur se kjo fazë është kryer brenda afatit të paraparë ligjor.

“Sa i përket pretendimit të palës së akuzuar se në këtë lëndë ka kaluar afati kohor i hetimit të paraparë në nenin 159 të KPPRKS-së, gjykata gjeti se faza e hetimit është kryer brenda afatit të paraparë ligjorë, sepse aktvendimi për fillim të hetimeve është marrë me datë 19 janar 2019, ndërsa aktakuza është ngritur me daten 21 tetor 2020”, thuhet në vendim e gjykatës, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, për këto akuza ish-kryeshefi i PTK-së është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 6 prill 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Shyqri akuzohet se ka kryer veprën penale “lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 237, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2010, i akuzuari Haxha, në cilësinë e personit përgjegjës–Kryeshefit Ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojnë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, duke mos marrë aprovim nga aksionari-Qeveria e Republikës së Kosovës, ku me 8 mars 2010 PTK i dërgon planin e biznesit për vitin 2010, së bashku me projektin PTK Building Platforme Lot 1 dhe Lot 2, dhe në ndërkohë derisa plani i biznesit ka qenë duke u shqyrtuar nga Qeveria, i akuzuari ka lidhur kontratë për faturim të ri dhe atë të VALA-a dhe Telekomit të Kosovës “PTK Building Platforme-Lot 1 dhe Lot 2” me kompaninë “Amdocs Development Limited”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 20 maj 2010, Qeveria-aksionari, i dërgon PTK-së listën me projektet e aprovuara dhe në këtë listë mungon aprovimi i projektit “Platforma e Faturimit të PTK-së”, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të statutit të PTK-së, ku shprehimisht thuhet se “Kompania (PTK) duhet të siguroj aksionarit planin e saj të biznesit për secilin vit fiskal të kompanisë dhe se shqyrtimi dhe aprovimi i aksionarit do të kërkohet para se kompania të implementoj planin e tillë biznesor”, si dhe në kundërshtim me nenin 30 të ligjit për Ndërmarrjet Publike

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të aksionarit, me 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën e lartcekur dhe pas kësaj “Amdocs Development Limited”,ka iniciuar procedurën për kompensimin e dëmit pranë Tribunalit të Arbitrazhit në Londër me padi ndaj PTK-së dhe si pagesë, kësaj kompanie i është paguar nga PTK-ja shuma prej 9,000,000.00 euro si dhe shpenzimet e tjera të bëra lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate në vlerën prej 891,022.81 euro, apo në shumën e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro, me çka të dëmtuarës, PTK-së i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe. /BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img