Para nisjes së hartimit të statutit të Asociacionit, demarkacioni nuk do të procedohet në Kuvend për ratifikim, sepse pa votat e Listës Serbe nuk mund të bëhen 80 votat e nevojshme.
Kështu thonë burime të lajmi.net brenda koalicionit qeverisës.
Këto burime thonë se tashmë ekziston një version i statutit për Asociacionin që është dërguar nga Brukseli, megjithatë gjithçka duhet të pres deri në momentin kur kryeministri Isa Mustafa të dekretojë zyrtarisht hartimin e statutit të ASK-së.
“Në momentin që kryeministri Mustafa dekreton hartimin e statutit të Asociacionit, atëherë shumë shpejt demarkacioni procedohet në Kuvend dhe hyn në votim. Kjo sigurisht se duhet të ndodh gjatë prillit”, kanë thënë burime të lajmi.net.
Pas kthimit të Listës Serbe në Kuvend, kryetari i saj Sllavko Simiqit nuk është deklaruar kundër demarkacionit, por ka thënë se duhen konsulta me partnerët e koalicioni, PDK-LDK, e më pas të shohin se si do të veprojnë.
Nisja e hartimit të statutit të Asociacionit e më pas votimi i demarkacionit edhe nga serbët ka qenë kërkesë e zëvendës ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro aziatike, Hoyt Brian Yee gjatë vizitës dyditore në Kosovës.
Pikërisht për Asocacionit dhe demarkacionin, Brian Yee dje ka takuar edhe kryetarin e VV-së, Visar Ymerin dhe disa nga deputetët “rebelë” të LDK-së.
Po ashtu, në mesin e atyre që ka takuar Yee ka qenë edhe Elmi Reçica, deputet i PDK-së, por i cili ka ndikim të theksuar në grupin parlamentar të PDK-së.
Tutje burimet e lajmi.net theksojnë se demarkacioni dhe Asociacioni janë dy marrëveshjet e mëdha që e kanë lidh PDK-në dhe LDK-në në koalicion qeveritar, prandaj dështimi i këtyre dy çëshjteve do të thotë shkuarje në zgjedhje të parakohshme.