1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Themelimi i Asociacionit nga serbët do ta tensionojë situatën në Kosovë

Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe vazhdon të mbetet sfidë edhe në këtë vit për Qeverinë e Kosovës.

E përfaqësuesit politikë të serbëve kanë paralajmëruar se ditën e shtetësisë së Serbisë më 15 shkurt, serbët në Kosovë mund ta themelojnë vetë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

E një gjë e tillë sipas kryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq do të bëhet më përkrahjen e krerëve të shtetit të Serbisë, në rast se Qeveria e Kosovës nuk e formon vetë AKS-në deri më 15 shkurt.

Lidhur me këtë, analisti Imer Mushkolaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se themelimi i Asociacionit është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës dhe se qeveria duhet ta themelojë atë bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Serbët mund të bëjnë spektakël më 15 shkurt, por akti i themelimit nuk do të ketë vlerë. Qeveria e ka obligim themelimin e Asociacionit… dhe duhet ta themelojë atë, duke mos iu lënë hapësirë përfaqësuesve politikë serbë që të ndërmarrin veprime, të cilat pastaj po i kushtojnë shumë vendit”, ka thënë Mushkolaj.

Themelimi i AKS-së nga vetë serbët sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Burim Ramadanit do ta fuste Kosovën në një fazë të thellë të tensionimit krejtësisht të panevojshëm dhe të dëmshëm.

“Tensionimi po rritet gradualisht, por me hapa të fuqishëm. Retorika publike politike ndër-etnike është përkeqësuar dukshëm, në krahasim me vitet e kaluara. Paaftësia e institucioneve të Kosovës për të adresuar në mënyrë konsensuale dhe strategjike raportet me serbët e Kosovës, normalisht se po çon në tensionim krejtësisht të panevojshëm dhe të dëmshëm për Kosovën”, ka thënë Ramadani për Telegrafin.

Ai ka shtuar se nuk mund të paragjykohet veprimi apo mosveprimi i njëanshëm në themelimin e Asociacionit, porse nëse kjo ndodh, atëherë Kosova mund të hyjë në një fazë të thellë të tensionimit me dimensione edhe të jostabilitetit.

“Dorën në zemër, krejt kjo situatë nuk ka qenë e paparashikuar, porse institucionet e Kosovës asnjëherë gjatë këtyre dy viteve të fundit nuk ka treguar shenja apo aftësi të të menduarit strategjik. Derisa telashet politike brenda-shqiptare në Kosovë kanë arritur shkallën e pashembullt, politikisht janë serbët që kanë luajtur rol në orientimin e të gjithave kah planet e veta, kryesisht të hartuara në Beograd”, u shpreh Ramadani.

Ramadani shtoi se fatkeqësisht, institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë gjetur mënyrat për të ndërtuar qasje konsensuale, për shkak të një arrogance krejtësisht të panevojshme.

Sipas tij, siguria kombëtare e Kosovës mund të sfidohet rëndë me veprim të njëanshëm të serbëve dhe, pastaj, shqiptarët sërish do të drejtojnë gishtin ndaj njëri-tjetrit për fajësi.

Lidhur me themelimin e AKS-së, kryeministri i vendit, Isa Mustafa në një intervistë për fundvit për Telegrafin, u shpreh se Asociacioni do të themelohet në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

“Kjo do të ndodhë në kuadër të realizmit të të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, disa prej të cilave po sabotohen nga Serbia. Ne tani do të lëvizim më tutje në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në bërjen e Statutit, i cili po ashtu do të konfirmohet në Gjykatën Kushtetuese.

Por, kjo do të ndodhë pasi që përfaqësuesit e qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës, në institucionet e Republikës së Kosovës, të cilët shpeshherë po keqpërdoren pa fije turpi dhe konsiderate nga politika hipokrite e Beogradit për interesa të politikës ditore në Beograd, të kthehen në institucione”, u shpreh Mustafa.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img