Site icon PrishtinaPress

Thellohen dyshimet në vendimin e Rikalos për pezullimin e Hajdarit

Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo ka pezulluar nga puna kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Elhami Hajdari, për një rast i cili ishte mbyllur nga Prokuroria 8 muaj më parë.

Ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, ka marrë vendim për pezullim nga puna të Kryeshefit të AZHB-së me pretendimin se i njëjti dyshohet për kryerje të veprës penale. Por Prokuroria e Shtetit thotë se hetimet janë mbyllur në shtator të vitit të kaluar për vepën të cilën e përmend ministri.

Në vendimin për pezullim nga puna të kryeshefit ekzekutiv të AZHB-së, Elhami Hajdari, të cilin e ka marrë tri ditë më parë ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, thuhet se pezullimi është bërë për shkak, që siç shkruan në vendim “dyshimit lidhur me rastin me numër PP.467/16 të datës 23.08.2016 në drejtim të dy veprave penale: kanosje dhe keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 185 paragrafi 1 të KPRK-së”.

Por, Prokuroria e Shtetit i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se ky rast është mbyllur në shtator të vitit të kaluar, domethënë vendimi për pushim të hetimeve është marrë 8 muaj para vendimit për pezullim.

“E.H., fillimisht është hetuar për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘kanosje’ nga neni 185 paragrafi 1 të KPRK-së. Prokuroria, pas analizimit të kallëzimit penal dhe shkresave të tjera, ka marrë vendim për pushimin e hetimeve ndaj të pandehurit E.H., sepse në rastin konkret nga të gjitha provat e administruara nuk ka gjetur prova se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën është ngarkuar”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë dhënë Gazetës.

JNK ka dërguar pyetje shtesë për datat e hapjes dhe mbylljes së hetimeve për këtë rast.

“Me datë 07. 12.2015 ka marrë aktvendim për fillim te hetimeve, ndërkaq, për pushimin e hetimeve ka marrë vendim më datë 20.09.2017”, thuhet në përgjigjen shtesë të prokurorisë.

Gazeta ka provuar të kontaktojë gjatë gjithë ditës edhe me ministrin Rikalo, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave e as pyetjeve të dërguara me shkrim.

Rikalo i kërkon Qeverisë formimin e Komisionit disiplinor

Gazeta ka pyetur edhe Zyrën e Kryeministrit a është njoftuar për këtë vendim dhe se çfarë masa ka ndërmarrë.

“Në rastin konkret, Ministri ka dërguar kërkesë në Qeverinë e vendit për themelimin e këtij komisioni [Komisionit Disiplinor]. Kërkesa ka ardhë ditën e djeshme, pasdite dhe e njëjta, si çdo kërkesë tjetër, procedohet e shqyrtohet në Qeveri. Deri tani nuk është marrë ndonjë veprim, meqenëse kërkesa ka arritur ditën e djeshme, pasdite dhe ka procedura administrative. Qeveria do ta trajtojë rastin në ditët në vijim”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së.

Tutje nga Zyra e Kryeministrit thonë se në bazë të rregullores për pozita të larta drejtuese, Ministri ka të drejtë të bëjë pezullim për ndonjë zyrtar, në momentin që dyshon që dikush ka kryer vepër penale.

Por, vepra penale e pretenduar nga Ministri Rikalo, është mbyllur si rast në shtator sipas Prokurorisë.

“Pas pezullimit Ministri mund të bëjë kërkesë në Qeveri që të krijohet Komisioni disiplinor i cili vendos për shkarkimin. Shkarkimi mund të bëhet vetëm nga komisioni disiplinor që themelohet nga Qeveria e vendit”, thotë ZKM.

Por, kryeshefi i pezulluar nga puna i ka thënë Gazetës se nuk do ta respektojë vendimin e ministrit.

“Vendimin për pezullimin e punës me pagesë nuk do e respektoj, duke u bazuar se vendimin për punë e kam të nënshkruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës”, ka thënë Hajdari.

Dje Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se prapa këtij pezullimi fshihet edhe një përplasje në mes të dy protagonistëve rreth një granti prej 165 mijë eurove.

Këtij mospajtimi i paraprinte një vendim i ministrit Rikalo për të bërë një super-ekspertizë për rastin e një kompanie të Kosovës që nuk kishte arritur t’i përmbushë obligimet kontraktuale me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Pas mos-përmbushjes së obligimeve kontraktuale, AZhB-ja kishte kërkuar nga kompania që t’i kthejë mjetet që i kishte marrë si grant nga shteti.

Elhami Hajdari, kryeshefi i AZhB-së, thotë se kompania nga Prizrenit ‘Extra Fruits Fillings’ kishte lidhje me kompaninë “Concept Pro” me seli në Serbi, në të cilën drejtoreshë është gruaja e Nenad Rikalos, ministrit të Bujqësisë.

“Ky vendim i ministrit Rikalo vjen pas mospërkrahjes së kompanisë “Extra Fruit Fillings’, që ka marrëveshje me gruan e Rikalos, ‘Concept Pro ‘- ku përfaqësues është gruaja e Rikalos – Biljana Rikalo, kompani e cila ka qenë përfituese për projekte të zhvillimit rural në vitin 2015, por që kompania i ka kaluar të gjitha afatet kohore për implementimin e projektit dhe duke u bazuar në programin, udhëzimin administrativ dhe kontratën, kësaj kompanie i është kërkuar kthimi i mjeteve avans të dhëna më herët dhe për moskthim brenda afateve ligjore është proceduar në gjykatë”, ka thënë Hajdari për Gazetën JnK.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me Biljana Rikalon, në numrin që ajo ka vendosur në biznesin e saj të regjistruar në Serbi. Pasi e ka dëgjuar pyetjen, ajo e ka ndalur telefonin e saj.

Gazeta disa herë e ka kontaktuar edhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të gazetës. Gazeta ka dërguar pyetje në Ministrinë e Bujqësisë dhe te ministri Rikalo dhe është duke pritur përgjigje. Gazeta merr vesh që Biljana është gruaja e Nenad Rikallos, e cila është drejtoreshë e kompanisë “Concept Pro”, e regjistruar në Serbi.

Exit mobile version