Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në pritjen për Ditën e Pavarësisë së Finlandës, që është mbajtur të hënën. Përveç fjalëve të kurtoazisë, që ia ka drejtuar ambasadorit finlandez në Prishtinë, Kurti ka ‘shëtitur” dhe nëpër historinë e shtetit skandinav. Me këtë rast, ai ka përmendur edhe ish -Presidentin Martti Ahtisaari duke thënë se propozimi i tij për statusin është thelbi i Kushtetutës së Kosovës. Vetëm kaq.
Pakoja e Ahtisaarit për shumë vjet ka qenë pjesë e diskursit të Kurtit për të sulmuar ndërkombëtarët për një pavarësi të gjymtuar të Kosovës dhe pushtetet e Kosovës që e kanë pranuar atë. Madje gjatë një proteste të organizuar nga Kurti e Vetëvendosje më 10 shkurt të vitit 2007 ishin vrarë edhe dy protestues nga radhët e saj. Por, të hënën, si mysafir në cilësinë e Kryeministrit Kurti ka qenë i kujdesshëm.
“Për të mos harruar, në historinë tonë të re kemi njohur dy Martti-t: Martti Ahtisaari dhe Martti Koskenniemi. Propozimi gjithëpërfshirës i statusit të Presidentit Ahtisaari u bë thelbi i Kushtetutës sonë, ndërsa mbrojtja e pavarësisë sonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga Koskenniemi është një ese shembull për vetëvendosjen. Por, ato ishin vitet e Nokia-s, jo të Iphone-it dhe Huaëei-t” ka thënë Kurti.
Duke folur tutje për Finlandën Kurti ka thënë se “në shkollë kemi mësuar për Finlandën si vendin e aurorave magjepsëse, të kompozitorit të muzikës Jean Sibelius, të drerëve të pyllit, të 188 mijë liqeneve të pabesueshme dhe 70 mijë ishujve.
“Si fëmijë, ndërsa shikoja sporte, mbaj mend mirë skitarin Matti Nykänen dhe më vonë ngasësin e Formula 1 Mika Häkkinen. Kur fillova të shikoj filma, filmat e Aki Kaurismäki-t, më bënë të pëlqeja Finlandën dhe të ndihesha sikur e njihja Finlandën pa qenë kurrë atje, dhe pastaj përsëri, bija në dyshime nëse pëlqimi i filmave të tij thotë diçka më thellë për veten time sesa për vetë Finlandën” ka thënë Kurti.
Por, me një kërkim të shpejtë në arkivën e Google, mund të gjenden dhjetëra tekste ku Kurti citohet ka folur ndryshe rreth propozimit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës të Presidentit Ahtisaari.
Madje, si kritik i rreptë i tij.
“Si duhet të ecim përpara në raporton me pakon që na gjymton sovranitetin dhe i humb kuptimin pavarësisë. Se pari, demokracia si vullnet i shumicës në institucione dhe jo pakica e cila është e dirigjuar nga jashtë. Së dyti,decentralizim pas sovranitetit për zhvillim të vendit. Së treti, bashkëjetesë e bashkëveprim ndërmjet feve e jo ekstremizmit të tyre e kishave që gabimisht e padrejtësisht quhen të Serbisë. Së katërti, Partneritet ndërkombëtar e jo servilizëm me ndërkombëtar. Se pesti, reciprocitet me Serbinë. Së gjashti, ushtri moderne për Kosovën e jo FSK që nuk i ngjanë as xhandarmërisë taman” thoshte Kurti para disa vitesh në një deklaratë para gazetarëve.
Në një rast tjetër, Kurti numëronte 6 padrejtësitë që i kishte bërë Pakoja e Ahtisaarit Kosovës. Por këto nuk janë dy deklaratat e vetme të Kurtit për dokumentin që e kishte prodhur ish-presidenti finlandez si emisar I OKB’së për bisedimet Kosovë -Serbi.
Më 10 shkurt të vitit 2007 Vetëvendosje kishte organizuar një protestë kundër Pakos së Ahtisaarit me ç’rast dy protestues Mon Balaj e Arben Xheladini ishi vrarë aty.
Kurti në përvjetorët e kësaj protste të VV’së ka thënë se kjo protestë nuk ishte e kotë dhe se nuk do ta harrojë kurrë sakrificën e dy aktivistëve të vrarë.