-1.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

The New York Times për protestat në Serbi: Dhuna në Kosovë solli lajme të mira për Vuçiqin

Ai ledhatohet nga diplomatë amerikanë e europianë, duartrokitet nga një makineri mediash që i kushtohet përdhosjes së kritikuesve të tij dhe ende i kanë mbetur edhe katër vjet të një mandati presidencial të siguruar vitin e kaluar me një fitore me shumicë bindëse.

Kështu nis një artikull i gazetës prestigjioze “New York Times”, i cili flet për Aleksandar Vuçiqin, Serbinë dhe protestat në Beograd.

Por, në një pjesë të këtij artikulli thuhet se dhuna që shpërtheu në veri të vendit i ka siguruar një lajm të mirë Vuçiqit, “i cilli luan rolin me kostumin e tij të fortë si mbrojtës i interesave serbe, ndërsa ai përpiqet të qetësojë protestat në rrugë”.

Artikulli i plotë:

Ai ledhatohet nga diplomatë amerikanë e europianë, duartrokitet nga një makineri mediash që i kushtohet përdhosjes së kritikuesve të tij dhe ende i kanë mbetur edhe katër vjet të një mandati presidencial të siguruar vitin e kaluar me një fitore me shumicë bindëse.

Megjithatë, presidenti Aleksandar Vuçiq, udhëheqësi i fuqishëm i Serbisë për më shumë se një dekadë, kurrë nuk ishte dukur aq i humbur, sa u duk këtë javë në një video zyrtare mbi kulmin e ndërtesës së zyrave presidenciale për të ndarë një pjatë me qershi me dy lejtnantë – dhe për t’u ankuar që protestuesit po i thërrisnin me emra të pahijshëm, përfshirë “të çmendur jonormalë, vrasës dhe kriminelë”.

Fyerjet e tepërta, tipar i rregullt i tabloideve besnike ndaj Vuçiqit dhe kanalet televizive pro-qeveritare, të përdorura për t’iu drejtuar kryesisht armiqve të presidentit, të paktën në publik. Sidoqoftë, pas protestave që kanë zgjatur disa javë e që nisën muajin e kaluar pas dy sulmeve masive, Vuçiqi tani është në pozicionin e viktimës – dhe në mbrojtje si kurrë më parë që nga portretizimi i vetes më 2012 si strumbullar përreth të cilit sillen politikat serbe.

Protestat, në të cilat bëhet thirrje për shkarkimin e zyrtarëve të lartë për sundimin e ligjit dhe për tërheqjen e licencave të dy kanaleve televizive pro-qeveritare, janë shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër një “klime të dhunës”, për të cilën po fajësohen Vuçiqi dhe qentë sulmues mediave të tij.

Dhjetëra mijëra njerëz përsëri marshuan nëpër pjesën qendrore të Beogradit të premten në mbrëmje, duke u fryrë bilbilave dhe duke brohoritur “Vuçiq largohu”. Një grup studentësh në krye të marshit valëvitën figura të Vuçiqit dhe të kryeministres, të një redaktori tabloidi dhe të një pronari televizioni të veshur në uniforma me vija si të të burgosurve.

Kjo ishte protesta e gjashtë në një varg protestash javore të organizuara nën sloganin “Serbia kundër dhunës”.

“Nuk po vë bast për rënien e tij, sepse udhëheqësit si Vuçiqi kanë teknika shumë të fuqishme për mbijetesë”- tha Vuk Vuksanoviqi nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, institut i pavarur hulumtues. “Por ekziston një plagë e hapur dhe peshkaqenët po qarkullojnë në ujë”- shtoi ai.

Duke peshkuar me zell në këto ujëra të trazuara ka qenë Rusia, ambasadori i së cilës në Serbi, Aleksander Botsan-Kahrçenko, këtë javën e fajësoi Perëndimin për nxitjen e lëvizjes protestuese, e cila ka rënë në të njëjtën kohë me rritjen e tensioneve në Kosovë – ish-territor i kontrolluar nga Serbia, që e shpalli pavarësinë më 2008.

Përderisa dhjetëra mijëra njerëz dolën rrugëve të Beogradit muajin e kaluar, Vuçiqi e urdhëroi ushtrinë e vet që të lëvizte drejt veriut të Kosovës, ku shumica e banorëve janë serbë etnikë. Kjo lëvizje erdhi pas një vendimi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për t’i marrë nën kontroll ndërtesat komunale në zonë dhe për t’i vendosur kryetarët e rinj shqiptarë, të cilët fituan, pasi pothuajse të gjithë serbët i bojkotuan zgjedhjet.

Kjo i tërboi serbët e Kosovës, të cilët i sulmuan paqeruajtësit e NATO-s, duke lënduar dhjetëra pjesëtarë të tyre dhe duke e nxitur aleancën që të dërgonte me ngut qindra trupa shtesë në Kosovën veriore.

Duke i përmendur trazirat në Kosovë, ambasadori rus tha në televizionin shtetëror rus, “RT Balkan”, se “qëllimi i Perëndimit është që të ndryshohen politikat e Serbisë” – porosi që “ndez” te serbët nacionalistë, të cilët e shohin Rusinë si mbrojtëse të tyre dhe të cilët e urrejnë SHBA-në për shkak të fushatës bombarduese të NATO-s më 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Sipas një ankete të bërë rishtazi nga grupi hulumtues “Demostat”, vetëm tre për qind e serbëve thanë se i admirojnë Shtetet e Bashkuara dhe se duan marrëdhënie të mira me to, për dallim nga 22 për qind që e thanë këtë për Rusinë. Në të njëjtën kohë, 32 për qind i favorizuan Bashkimin Evropian dhe vendet skandinave, duke dhënë shenjë se përkrahja për Rusinë, edhe pse e fuqishme, mbetet prapa mbështetjes për Perëndimin në përgjithësi.

Ajo që ambasadori rus e paraqiti si komplot të Perëndimit për të nxitur trazirë në Kosovë dhe për ta rrëzuar Vuçiqin shihet saktësisht si e kundërta nga shumica e ekspertëve, por edhe nga protestuesit.

Çedomir Çupiq, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, tha se Kosova “tashmë është e humbur”, sepse nuk ka mundësi realiste që Serbia ta kthejë atë nën kontroll dhe të sundojë më shumë se një milionë shqiptarë të panënshtrueshëm etnikë.

Megjithatë, ai tha se, për Rusinë, pasionet e brendshme, që ende i ndërton, janë “dhuratë nga Zoti” për Moskën – “një kruese dhëmbësh që gjithmonë mund ta përdorë për t’i bërë nervoze ShBA-në dhe Evropën”.

Dhuna në Kosovë ka ofruar edhe një copë të rrallë të lajmeve të mira për Vuçiqin duke luajtur në kostumin e tij të fuqishëm si mbrojtës i interesave serbe, përderisa po ballafaqohet me vështirësi për t’i zbutur protestat në rrugë.

Situata i ka acaruar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, të cilat për një kohë të gjatë janë përpjekur që t’i “ulin temperaturat” dhe të ndërmjetësojnë për një marrëveshje për Kosovën. Ato e dënuan me terma jashtëzakonisht të fuqishme dislokimin e forcave të sigurisë në Kosovën veriore nga Kurti.

Sipas Milomir Mandiqit, menaxher i përgjithshëm i grupit “Demostat”, tensionet në Kosovë e ndihmojnë vetëm Vuçiqin duke i ngjallur pasionet për territorin që shumica e serbëve e shohin si pjesë të vendit të tyre.

“Kurti vazhdimisht po e ndihmon Vuçiqin”- tha Pavle Gërboviqi, deputet i opozitës në Serbi, anëtar i Lëvizës së Lirë të Qytetarëve, i cili ka ndihmuar për organizimin e protestave javore në Beograd.

“Askush në skenën politike serbe nuk ka bërë më shumë për pozicionin e Serbisë në Kosovë dhe për Vuçiqin se Kurti”- tha ai.

Vuçiqi tashmë po përdor një ton më pajtues. Të mërkurën, ai tha se është i interesuar që t’i fillojë bisedimet me kundërshtarët e tij dhe e propozoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, opsion që udhëheqësit e opozitës e kundërshtojnë, sepse fusha e lojës është shumë e anuar kundër tyre.

Vuçiqi ka premtuar edhe rritje pagash për mësues dhe punëtorë shëndetësorë dhe pagesa në para të gatshme për të rinjtë nën moshën 16-vjeçare, masa që gjerësisht po shihen si ryshfet për t’i mbajtur ata dhe prindërit e tyre larg rrugëve.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img