1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

The Guardian: Serbia tërheq disa trupa nga kufiri me Kosovën pas paralajmërimit nga SHBA

Serbia ka tërhequr disa nga trupat e saj nga kufiri me Kosovën pas paralajmërimeve të SHBA-së se mund të përballet me masa ndëshkuese për atë që Shtëpia e Bardhë e quajti një grumbullim “të paprecedentë” të trupave dhe armatimit serb, shkruan gazeta e njohur britanike, The Guardian.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se kishte urdhëruar tërheqjen e trupave. Në një deklaratë për Financial Times, ai tha se çdo veprim ushtarak do të ishte kundërproduktiv, duke shtuar: “Serbia nuk dëshiron luftë”.

Guradian raporton se një zyrtar i qeverisë kosovare konfirmoi një tërheqje të pjesshme serbe të shtunën, me largimin e trupave dhe pajisjeve që ishin zhvendosur në pozicionet përreth kufirit në pesë ditët e fundit, duke lënë pas një forcë ende të konsiderueshme që është e vendosur përgjithmonë në zonë.

Tërheqja pasoi një deklaratë publike shqetësimi nga Shtëpia e Bardhë, një thirrje të ashpër drejtuar Vuçiqit nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken dhe përforcimin e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, me qindra trupa britanike.

Në bisedën e tij me Vuçiqin, Blinken bëri thirrje për “deeskalim të menjëhershëm” dhe një kthim në marrëveshjen e mëparshme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Sipas Vuçiqit, Blinken tha se mund të ketë masa amerikane kundër Serbisë nëse ai nuk e respekton kërkesën. “Unë thashë se ju jeni një superfuqi dhe mund të bëni ose të thoni çfarë të doni, por unë jam plotësisht kundër kësaj. Mendoj se do të ishte shumë keq”, tha presidenti serb për agjencinë e shtypit Tanjug.

Të shtunën në mbrëmje, ambasadori i Gjermanisë në SHBA, Andreas Michaelis, e përshkroi situatën si “një tjetër fuçi baruti në Europë” dhe një rrezik që duhet marrë seriozisht.

Michaelis tha në mediat sociale se kishte pasur “bashkëpunim shumë të ngushtë midis Gjermanisë dhe SHBA-së në ditët dhe orët e fundit”, i cili kishte qenë “absolutisht çelësi për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm”.

“Serbia duhet të veprojë tani”, tha Michaelis.

Paralajmërimet e SHBA-së erdhën në fund të një jave tensioni të lartë, duke filluar me një pritë nga paraushtarakët serbë të armatosur mirë ndaj një patrulle të policisë kosovare, në të cilën u vra një oficer policie. Tre persona të armatosur serbë u vranë në betejën që pasoi, afër fshatit Banjska.

Grupi i armatosur drejtohej nga Milan Radoiçiq, nënkryetari i Listës Serbe, një parti e mbështetur nga Beogradi që përfaqëson pakicën serbe në veri të Kosovës. Përmes një avokati, Radoiçiq tha se ai ishte përgjegjës për shkëmbimin e zjarrit me policinë kosovare, por nuk shpjegoi burimin e armëve moderne që paraushtarakët serbë mbanin.

Qeveria e Kosovës shfaqi një dokument që pretendonte të tregonte se një granatëhedhës që grupi kishte mbajtur u ishte dhënë atyre nga ushtria serbe dhe zyrtarët në Prishtinë shprehën shqetësimin se përleshja e së dielës kishte për qëllim të ofronte një pretekst për një ndërhyrje ushtarake serbe në veri të Kosovës.

Serbia shpalli një ditë zie për tre serbët e vdekur në Kosovës dhe Vuçiq pretendoi në mënyrë të rreme se forcat e Kosovës po kryenin një fushatë “spastrimi etnik brutal” kundër serbëve etnikë.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img