Udhëheqësit perëndimorë po përgatiten për mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin të përdorë “të gjitha mjetet që i kanë mbetur”, duke përfshirë kërcënimet bërthamore dhe sulmet kibernetike, në përgjigje të një kundërofensive të pritshme ukrainase kundër forcave ruse.
Siç shkruan The Guardian, zyrtarët britanikë në samitin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të G7 në Japoni thanë se prisnin hakmarrje nga Rusia dhe se “duhet të jenë të përgatitur” për taktika ekstreme në përpjekjen e Moskës për të mbajtur territorin ukrainas.
Ish-presidenti rus Dmitri Medvedev tha muajin e kaluar se Moska ishte gati për t’ju përgjigjur ukrainasve, duke paralajmëruar se vendi i tij do të përdorte “absolutisht çdo armë” nëse Kievi do të përpiqej të rimarrë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në 2014.
Moska duket se ka pranuar se forcat e saj së shpejti mund të jenë në mbrojtje, pasi ofensiva dimërore e Rusisë duket se po ngadalësohet.
Kërcënime të papranueshme
Retorika bërthamore ruse bashkoi ministrat e G7, të cilët lëshuan një deklaratë pas një takimi dy orësh të hënën, duke dënuar kërcënimet si “të papranueshme” dhe duke kritikuar planin e Putinit për të vendosur armë taktike bërthamore në Bjellorusi, shkruan media britanike.
Zyrtarët e G7 thanë se bisedimet panë një “shkëmbim të hapur pikëpamjesh” mbi qasjen ndaj konfliktit të Ukrainës, duke përfshirë “perspektivat e ardhshme” për përfundimin e luftës, ndërsa kryeministri britanik Rishi Sunak tha se një zgjidhje do të gjendej përfundimisht në tryezën e bisedimeve.
Megjithatë, burime të Zyrës së Jashtme Britanike sugjeruan se e vetmja mënyrë për të zgjidhur përfundimisht konfliktin do të ishte që Putini të tërhiqte trupat e tij nga Krimea dhe që Perëndimi të furnizonte Kievin me mjetet për të përfunduar punën.
Pavarësisht presionit nga Ukraina dhe të tjerët, përfshirë ish-kryeministrin britanik Boris Johnson, për të rritur mbështetjen ushtarake, duke përfshirë më shumë tanke dhe avionë luftarakë, Londra beson se po i jep Ukrainës atë që i nevojitet. Burimet pohojnë se ai tashmë po jep nga fondi i tij për “ditët e zeza”.