Site icon PrishtinaPress

Thaçi thotë se BE’ja duhet të tregojë lidership, për t’i siguruar Ballkanit të ardhme evropiane

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të tregojë lidership për të mos humbur mundësia që të sigurohet e ardhmja evropiane për Ballkanin Perëndimor.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se është takuar me bashkëkryesuesin e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, Carl Bildt.

“Me bashkëkryesuesin e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, Carl Bildt, u pajtuam që viti 2018 është një mundësi për rajonin që të forcojë perspektivën evropiane”, ka shkruar Thaçi.

“Në këto momente të rëndësishme për Kosovën dhe rajonin, BE-ja duhet të tregojë lidership dhe të mos humbasim këtë mundësi për të siguruar një të ardhme evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur presidenti.

Diplomati suedez, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, sot ka takuar edhe kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se me shefin e ekzekutivit kosovar ka pasur “bisedime të rëndësishme”, në atë që ai e ka quajtur “ditë disi të vështirë”, para përpjekjes së re, nesër në Kuvendin e Kosovës, për ratifikimin e Demarkacionit.

Bild, ish-kryeministër e ish-ministër i Jashtëm i Suedisë, u ka bërë sot thirrje deputetëve të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Pasi Kuvendi i Kosovës sot ka dështuar ta kalojë Demarkacionin, ratifikimi i të cilit po mban peng liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Bild ka thënë, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij zyrtare, në Twitter, se shpreson që një Demarkacioni të ratifikohet nesër.

Exit mobile version