1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Thaçi sy më sy me serbin që e akuzon për vëllain e zhdukur

Milorad Trifunoviç ka pritur 18 vjet të takohet me Hashim Thaçin, për të cilin është tërësisht i bindur se e di se kush ia kidnapoi vëllain minator në një minierë të thëngjillit, në vitin 1998.

Në nëntorin e vitit 2016, Trifunoviç që tani udhëheq shoqatën e viktimave serbe dhe minoriteteve të tjera në Kosovë, është parë sy me sy me njeriun që është i bindur se e di çfarë ndodhi me 10 serbët e kidnapuar, sipas tij, nga ushtarë të UÇK-së.
Në fakt, brenda një jave Thaçi dy herë e ka pritur Trifunoviçin, krahas përfaqësuesve të shoqatës së të zhdukurve shqiptarë, në zyrën e tij në Prishtinë.
Në vitin 1998, Thaçi ishte shprehur i gatshëm që me ndërmjetësimin e William Walker ta pres Trifunoviçin dikund në Drenicë.
Takimi ishte anuluar pa ndonjë sqarim.
Të premten, më 11 nëntor, Trifunoviç ka thënë përmes telefonit për Gazetën Express se ai doli i kënaqur nga zyra e Presidentit Thaçi.
“…ndër të tjera ai na siguroi edhe një takim me kryeprokurorin e Kosovës, Aleksandar Lumezi, për të folur rreth krimeve ndaj serbëve dhe qytetarëve të tjerë jo shqiptarë të Kosovës”, ka thënë Trifunoviç.
Ai gjithashtu ka thënë se Thaçi ka premtuar se edhe në dialogun e lehtësuar nga Brukseli do të futet si temë gjetja e të zhdukurve serbë, shqiptarë e të tjerëve.
“Më premtoi se do të flas edhe me Kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq për çështjen e të zhdukurve edhe serbë edhe atyre shqiptarë. Dhe, më premtoj se këtë do e bëjë si temë të dialogut edhe në Bruksel”, thotë Trifunoviç.
Trifunoviç ishte në takim te Thaçi krahas shoqatës së të zhdukurve shqiptarë.
Takimi me Thaçin është realizuar pak ditë pasi Gazeta Express transmetoi një seri dokumentarësh të lidhur me dyshimet për krimet e luftës dhe pas luftës ndaj serbëve të Kosovës.
Një nga personazhet kryseore të këtij dokumentari, Milorad Trifunoviç pas transmetimit të këtij dokumentari është takuar dy herë brenda një jave me presidentin e Kosovës, Thaçi.
“E pyeta një nga këshilltarët e Zotit Thaçi, po na ftoni pasi dolëm për të folur publikisht për këtë punë. Ai e pyeti Thaçin, por ai tha jo, këtë e kam obligim ta bëj me ju si përfaqësues të të zhdukurve”, tha përmes telefonit të premten për Gazetën Express, Milorad Trifunoviç.
Ky i fundit në intervistën e dhënë për dokumentarin e Zona Express ka thënë se edhe para 18 vjetësh kishte provuar ta takonte Thaçin, derisa ky i fundit ishte Drejtor Politik i UÇK-së, porse takimi ishte anuluar në moment të fundit. Trifunoviç e ka vëllaun e zhdukur nga viti 1998, i cili u kidnapua në vendin e tij të punës, afër një prej minierave të thëngjëllit të Obiliqit.
“Edhe sot e kësaj dite nuk ka gjë që më bind se Thaçi nuk e di se kush ma kidnapoi vëllain”, ka thënë Trifunoviç në dokumentar.
Kësaj radhe, sipas të njëjtit, nuk është folur konkretisht për vëllain e tij pasi ai në këto dy takime përfaqësonte familjet e viktimave serbe dhe qytetarëve të tjerë jo shqiptarë të Kosovës.
“Është inkurajuese që më në fund politika po bënë diçka më konkrete për gjetjen e të zhdukurve. Janë 164 familje të të zhdukurve serbë dhe qytetarëve të tjerë jo shqiptarë që i përfaqësojë unë”, ka thënë Milorad Trifunoviç.
Presidenti i Kosovës, Thaçi gjithmonë sipas Trifunoviç ka thënë se ai “nuk ka informata se çfarë ka ndodhur me të zhdukurit serbë, porse ka premtuar se do të interesohet dhe sapo të gjej informacione, ato do i përcjell te shoqata” që udhëhiqet nga Trifunoviç.
“Ka dhënë premtime të fuqishme“, thotë Trifunoviç për Presidentin Thaçi.
Trifunoviç në dokumentarin “Gjahu në UÇK” kishte thënë se ai “edhe sot e kësaj dite beson që Thaçi e di kush ia kidnapoi vëllain”.
Vëllai i Trifunoviçit, minator në minierën e thëngjillit të Korporatës Energjetike të atëhershme të Kosovës në afërsi të Obiliqit është kidnapuar me 9 minatorë të tjerë.
Prej asaj dite ai dhe të tjerët nuk janë gjetur asnjëherë, pavarësisht se për trupat e tyre është kërkuar në një varrezë të dyshuar masive në afërsi të fshatit Bellaqevc, në mes të Vushtrisë dhe Obiliqit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img