Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka reaguar të premten pas sulmit në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se mund të pajtohemi për shumë gjëra, por ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohen është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovë.
Lexoni të plotë postimin e presidentit:
“Dhuna sjell frikë, frika sjell urrejtje dhe urrejtja sjell pastaj edhe më shumë dhunë. Mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohemi është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovën tonë.
Dënoj ashpër sulmin e mbrëmshëm në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Mund të mos jemi në dijeni të emrave të sulmuesve, por e dimë se ata janë njerëz që nuk e duan Kosovën, që nuk ia duan të ardhmen evropiane qytetarëve tanë dhe nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe.
Kam besim se organet e drejtësisë do t’i identifikojnë sulmuesit dhe do ta zbardhnin rastin. Dhe kam besim se të gjithë do të bashkohemi dhe nuk do të lejojmë që dhuna të zë vend në shoqërinë tonë”. /PrishtinaPress.eu