Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot dhe nesër do të qëndrojë në Bruksel, ku do të pritet nga përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian.
Sipas një komunikate për media, presidenti Thaçi do të kërkojë nga Bashkimi Evropian jetësimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Presidenti Thaçi do të pritet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk me të cilin do të bisedojë për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës.
Më pas, presidenti Thaçi do të takohet edhe me Kryetarin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, nga i cili do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes së Parlamentit Evropian për Kosovën.
Ndërsa, të enjten, presidenti Thaçi do zhvillojë një takim edhe me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.
“Edhe në këtë takim do të bisedohet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian”, thuhet më tutje në komunikatë.