Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e ish kryeministrit dhe presidentit italian, Carlo Azeglio Ciampi, përderisa kujtoi përkrahjen që Ciampi kishte dhënë Kosovës.
“Ngushëllimet më të thella për vdekjen e burrështetasit të shquar, ish-presidentit italian Carlo Azeglio Ciampi. Si president e udhëhoqi vendin e tij në kohë të vështira, por me vizionin dhe urtësinë e tij ia doli ta konsolidonte Italinë përbrenda dhe në arenën ndërkombëtare. Ishte president në kohën kur bota demokratike u ngrit për të ndalur përpjekjen për gjenocid në Kosovë dhe kur vendi ynë kishte një nevojë të madhe për përkrahje nga miqtë ndërkombëtarë. Ish-presidenti Ciampi do të kujtohet për përkushtimin dhe pasionin me të cilin i shërbeu vendit të tij”, deklaroi Thaçi.