Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka bërë sot homazhe tek varrezat në Mejë të Gjakovës, ndërsa theksoi se nuk do të ketë amnisti për gjenocidin dhe krimet e Serbisë në Kosovë.
Thaçi tha se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, ka vrarë mbi 10 mijë shqiptarë civilë, ende nuk dihet për fatin e të pagjeturve, ka kryer mbi 400 masakra mbi popullatën civile, ka vrarë mbi 1300 fëmijë dhe policia e ushtria serbe ka dhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare.
“Sot shënojmë ditën e të pagjeturve, ditën e vuajtjes dhe dhimbjes, e pikëllimit për shtetin e Kosovës, për qytetarët e Kosovës, për këtë çështje të sensibilizuar edhe në rrafshin ndërkombëtar. Po ajo ushtri e polici e Serbisë që ka kryer gjenocid në Kosovë ka dëbuar edhe mbi 1 milion qytetarët të Kosovës dhunshëm”, tha Thaçi.
Presidenti më tej theksoi se ky është një gjenocidi i shtetit ë Serbisë, për fat të keq ende i pandëshkuar në rrafshin ndërkombëtar dhe nga asnjë drejtësi lokale, raporton Telegrafi.
“Kjo heshtje ndërkombëtare nënkuptohet një lloj amnistie ndaj gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë. Por nuk do të jetë asnjë rrethanë, në asnjë kohë, nga askush amnisti përballë krimit dhe gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovës. Nuk ka paqe pa drejtësi dhe do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi bashkërisht me ndërkombëtarët që ky gjenocid dhe këto krime të ndëshkohen prej autoriteteve përkatëse të drejtësisë, lokale dhe ndërkombëtare”, tha Thaçi.