Blici serb deklarimet se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do t’i bashkohen Kosovës, po i sheh si provokime të presidentit Thaçi.
Ky i fundit në konferencën e sotme deklaroi se do të ndryshohej edhe Kushtetuta, madje do të mund të organizohej referendum, në mënyrë që Lugina të bëhet pjesë e Kosovës.
“Thaçi provokon. Serbët nuk do të marrin asgjë, por ne e duam Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin”, është titulli i gazetës serbe Blic.
Thaçi sot gjatë ditës nuk ka parë asgjë të keqe që edhe të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës.
“Kushtetuta e Kosovës ka ndërruar qe tri herë pas pavarësisë, prandaj nuk është ndonjë mëkat nëse ndryshon kushtetuta edhe bashkëngjitet Lugina e Kosovës. Çka ka të keqe këtu? Nëse Kuvendi i Kosovës nuk është i gatshëm të bëjë këtë, atëherë referendumi është kategori kushtetuese”, ka thënë Thaçi
Deklaratat e Thaçit për bashkimin me Luginën dhe korrigjimin e kufijve, po vlerësohen edhe si mundësi për ndarje të Kosovës.
Këtë opsion madje zyrtarë të lartë serbë e kanë pëlqyer qysh para shumë kohësh. Janë ministrat serbë si Daçiq e Vulin që kanë vlerësuar se ndarja e Kosovës, do të ishte zgjidhja më e mirë për Serbinë.
Por presidenti vazhdimisht e ka mohuar se korrigjimi i kufijve ka të bëjë me ndarje.