Në ceremoninë e Pritjes Shtetërore të organizuar nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Isa Mustafa, morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadorë të akredituar në Prishtinë, ministra të vendit, deputetë, përfaqësues të besimeve fetare në Kosovë, zyrtarë të tjerë, por munguan kryetari Kuvendit Kadri Veseli dhe opozita.
Një ditë para 9-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, u përmenden rrugëtimet e përpjekjet e popullit tonë për liri dhe barazi, të cilat rezultuan me pavarësinë e vendit më 17 shkurt.
Një video e përgatitur për pavarësi u shfaq pranë të pranishmëve, ndërsa, i pari i vendit Hashim Thaçi në fjalën e tij të rastit, tha se shtetit të Kosovës i kanë arritur 113 njohje nga shtete të ndryshme, por e veçanta e vitit është anëtarësimi i saj në organizatat sportive ndërkombëtare, por sipas tij synim mbetet anëtarësimi në NATO dhe BE.
“Kosova sivjet shënon sivjet 17 vjetorin e lirisë dhe sot po shënojmë 9 vjetorin e pavarësisë, vite këto të suksesit, përpjekjeve të sfidave dhe dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për punët që keni bërë gjithmonë. Dëshiroj të falënderoj SHBA-të, BE-në,NATO-n dhe të gjitha vendet për mbështetje të jashtëzakonshme që i kanë dhënë projektit të rëndësishëm të Kosovës. Kosova sot është njohur nga 113 shtete, ndërsa po anëtarësohemi në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Në veçanti viti i fundit ishte shumë i suksesshëm për anëtarësimin e Kosovës në organizata sportive UEFA, FIFA”, tha Presidenti.
Ai shto se po ndërtojmë bashkërisht Kosovën e re, ku synimi ynë është të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
“Po ndërtojmë bashkërisht Kosovën e re, Kosovën e të gjithë qytetarëve të saj, Kosovën për t’u ndier mirë çdo qytetarë për të jetuar këtu. Po ndërtojmë Kosovën e formave të reja të reformave politike, në ekonomi, legjislacion. Ka mbetur edhe shumë për t’u bërë, kemi krijuar raporte të fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët, natyrisht synimi ynë është të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian sa më shpejt se është e mundur”, deklaroi Thaçi.