Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar intervistimin në Gjykatën Speciale në Hagë, ai u intervistua për katër ditë radhazi.
Presidenti Thaçi, pas përfundimit të intervistimit ka thënë se për katër ditë ka dhënë dëshmitë e tij lidhur me aktivitetet që ka bërë gjatë periudhës së luftës.
“Sapo përfundova dëshmin time para prokurorit të dhomave të specializuara. Më vjen shumë mirë që për katër ditë kisha mundësinë të jap dëshmitë për të gjitha çështjet që lidhen me aktivitetin tim gjatë periudhës së luftës, dhe përpjekjet e mija për paqe, stabilitet, zhvillim dhe progres.
Gjatë këtyre katër ditëve, jam mundur të jap informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mija gjatë luftës. Gjatë tërë kësaj periudhe kam qenë i shoqëruar nga avokati, përkundër faktit që dëshmia ime ka zgjatur shumë, kemi pasur seanca produktive, tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit që të vlerësojnë me paanshmëri dëshmitë e mija. Në rast se ata e bëjnë këtë në mënyrë profesionale ata lehtë mund të vijnë në përfundim se unë nuk kam bërë asnjë krim lufte”, tha Thaçi para mediave.
Thaçi shtoi më tej se lufta e UÇK-së ka qenë e drejt dhe për liri, dhe se për këtë kanë pasur përkrahjen e botës.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Të hënën para fillimit të intervistimit, Thaçi deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.