Televizioni publik austriak në fillim të kësaj interviste përshkruan sesi për shumë shtete jo anëtare, Bashkimi Evropian edhe më tutje mbetet një cak i rëndësishëm.

“E sidomos cak i Kosovës, presidenti i së cilës po qëndron në Vjenë. Ai shpreson të gjejë përkrahjen e Austrisë për përafrimin e Kosovës me BE-në”, kështu e nis ORF intervistën, duke vazhduar më tej edhe me një përshkrim për presidentin Thaçi.

“Tashmë kanë kaluar mbi dhjetë vjet, kur Hashim Thaçi shpalli pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Disa nga pritjet mbetën të parealizuara. Në mesin e tyre edhe liberalizimi i vizave. Kosova është shteti i vetëm në Ballkan, për të cilin edhe më tutje vlen regjimi i vizave, ndonëse formalisht janë plotësuar të gjitha kriteret. Në BE edhe më tutje ekziston frika se disa kosovarë mund të keqpërdorimin lirinë e lëvizjes”, transmeton ORF.

Duke folur për procesin e liberalizmit të vizave, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova do të bëjmë çmos që t’u sqarojë qytetarëve se liberalizimi i vizave nuk do të thotë e drejtë për azil.

“Që kosovarët kanë të drejtën e lëvizjes së lirë, njëjtë si evropianët e tjerë, është një çështje edhe njerëzore, humane. Nëse vazhdon izolimi i qytetarëve, atëherë do t’u krijohen hapësira ideologjive të tjera, të cilat janë kundër interesave të BE-së”, ka thënë Thaçi për ORF.

Në Kosovë, sipas presidentit Thaçi, nuk ka lëvizje të emigrantëve të huaj.

Ai ka thënë se Kosova i kontrollon dhe mbron shumë mirë kufijtë, duke bashkëpunuar shumë ngushtë me vendet fqinje dhe shtetet e BE-së.

“Jemi të pakompromis ndaj trafikimit të qenieve njerëzore”, ka thënë Thaçi për ORF.

Presidenti Thaçi mbrëmë është takuar në Vjenë edhe me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, shteti i të cilit merr presidencën e radhës së BE-së.

Sipas Televizionit Publik të Austrisë, presidenti Thaçi ka kërkuar nga kancelari Kurz mbështetjen e Austrisë për përafrimin e Kosovës me BE-në dhe për dialogun me Serbinë.

Thaçi ka folur edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila sipas ORF-it, tash e dhjetë vjet ishte përgjegjësi e evropianëve.

“Kosova ka Kodin Penal më modern në rajon, i cili është përpiluar nga ekspertë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në luftën kundër korrupsionit, Kosova ka qenë e suksesshme. Këtë e kanë vërtetuar edhe përfaqësues të BE-së”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme pritet të vazhdojë takimet në Vjenë, kurse në mbrëmje austriakët do të provojnë edhe librin biografik për Thaçin “New State, Modern Statesman”