Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një diskutim në forumin FOL Hapur tha se partnerët e koalicionit qeveritar PDK-LDK e kanë për obligim të shtyjnë përpara çështjen e demarkacionin për arsye se qytetarët e vendit nuk mund të mbeten të izoluar për shkak të disa deputetëve.
Ai tha se vënia e demarkacionit si kriter nga ana e BE-së për liberalizimin e vizave është një realitet dhe duhet kuptuar qartë që s’ka liberalizim pa ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Thaçi tha se partnerët e koalicionit duhet të tregojnë si po lëvizin më tutje lidhur me këtë çështje sepse sipas tij, është e padrejtë që qytetarët të mbeten të izoluar për shkak të disa deputetëve.
Sipas tij, Kosova do të vonohet me vite për liberalizimin e vizave nëse nuk kalon Demarkacioni.
Presidenti theksoi po ashtu se Qeveria duhet të lëviz shpejt edhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton Telegrafi.
Kreu i shtetit ka folur edhe lidhur me raportet me Serbinë. Ai tha se është çështje e brendshme e qytetarëve të Serbisë se kë do të zgjedhin për të udhëhequr, por tha se mbetet për të punuar në normalizimin e raporteve ndërshtetërore.
Ai tha se është jetike që marrëveshjet e arritura të zbatohen.